Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Bioweapon
Nëse menduat se teknologjia në bioinxhineri po përparon… ju kishit të drejtë! Por këtë herë, bio-teknologjia po përparon me “carry-on” në avionin e gabuar. Dy studiues kinezë u kapën duke futur fshehurazi një kërpudhë – jo për picë, por një bioweapon të klasit bujqësor me emrin elegant: Fusarium graminearum.
Ky mikroterrorist bimor është aq i fortë sa mund të prishë komplet grurin, misrin, orizin dhe jetën bujqësore amerikane me një teshtimë të gabuar. Dhe jo vetëm: mund të shkaktojë të vjella, dëme në mëlçi dhe probleme riprodhimi – për njerëzit dhe kafshët!
Dy kinezët nuk e deklaruan në doganë kërpudhën, por e futën në pako, në çantë shpine. FBI ngeli pa fjalë…
Teknologjia sot të lejon të modifikosh ADN-në, të sintetizosh patogjenë në printer 3D, dhe të bësh kërpudha që s’i gjen dot as tek Mario Bros. Kjo s’është më “shkencë për të mirën njerëzore” – kjo është shkencë në nivel Marvel… por me më shumë formularë vizash.