Të gjithëve na pëlqen ajo ndjesi kur veshim një rrobë krejt të re: freskia e pëlhurës, ngjyrat apo modelet e forta dhe ajo ndjenjë e pastërtisë absolute. Por a e dini se rrobat e reja shpesh përmbajnë kimikate, baktere dhe papastërti të tjera që mund të shkaktojnë irritim të lëkurës apo probleme shëndetësore? Nëse jeni nga ata që mezi presin t’i veshin menjëherë rrobat e sapoblera, mund të përballeni me pasoja si skuqje, infeksione apo irritim të lëkurës diçka që askush nuk do ta “veshë” si stil. Prandaj, larja e rrobave të reja para përdorimit është një ide shumë e mirë.
Sipas një studimi të publikuar, disa rroba të reja mund të përmbajnë baktere si Staphylococcus aureus, e cila mund të shkaktojë infeksione të lëkurës dhe probleme të tjera shëndetësore. Edhe pse duken dhe ndihen të pastra, rrobat e reja mund të jenë vend ideal për mikrobe dhe kimikate. Ato prodhohen në fabrika të mëdha, ku përdoren substanca të ndryshme për të përmirësuar pamjen, strukturën dhe qëndrueshmërinë e pëlhurës.
Për shembull:
- Mund të përdoret formaldehid për të parandaluar rrudhat.
- Ngjyruesit mund të shkaktojnë irritim apo reaksione alergjike.
- Gjatë transportit dhe provimit në dyqane, rrobat mund të marrin baktere, përfshirë Norovirus, si edhe gjurmë papastërtish nga persona të tjerë që i kanë provuar.
- Larja e rrobave të reja është e domosdoshme
- Larja e rrobave të sapoblera ndihmon në largimin e mikrobeve, baktereve dhe kimikateve të dëmshme. Gjithashtu, eliminon erërat apo mbetjet që mund të jenë krijuar gjatë magazinimit ose transportit.
Përveç aspektit shëndetësor, larja:
- Zbut pëlhurën dhe largon fortësinë e shkaktuar nga procesi i prodhimit;
- I bën rrobat më të rehatshme për t’u veshur;
- Ndihmon që ato të zgjasin më shumë.
- Një përfitim tjetër është parandalimi i tkurrjes. Ndonjëherë rrobat mund të kenë madhësinë e duhur në fillim, por të tkurren pas larjes së parë. Duke i larë para se t’i vishni, shmangni surprizat dhe siguroheni që t’ju rrinë siç duhet.
Si t’i lani rrobat e reja?
- Kontrolloni gjithmonë etiketën e kujdesit për të përdorur temperaturën dhe programin e duhur të larjes dhe tharjes.
- Përdorni detergjent të butë, pa kimikate të forta dhe pa aromë të rëndë.
- Shmangni zbutësit e rrobave ose fletët për tharëse, pasi mund të lënë mbetje dhe të shkaktojnë irritim të lëkurës;
- Rrobat me ngjyra të forta lajini veçmas ose me rroba me ngjyra të ngjashme për të shmangur përzierjen e ngjyrave;
- Thajini në temperaturë të ulët ose mesatare dhe shmangni tharjen e tepërt, e cila mund të shkaktojë tkurrje dhe dëmtim të pëlhurës.