Tech Top Tech - News

Ja pse San Francisco po kthehet në “Tokën e Shenjtë” të makinave që ecin vetë…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

San Francisco po kthehet në “Tokën e Shenjtë” të makinave që ecin vetë — dhe Uber sapo i hodhi benzinë zjarrit.

Kompania njoftoi se në 2026 do të nisë një shërbim premium robotaksi, duke përdorur SUV-t Lucid Gravity, të pajisura me teknologjinë e vetë-drejtimit të Nuro. Ja pra, taksitë që s’të pyesin “ku po shkon” dhe “po c’kemi andej nga shtepia”?!

Uber do investojë 300 milionë dollarë në Lucid dhe ka plan të blejë të paktën 20,000 makina Gravity gjatë 6 viteve të ardhshme. Këto makina do jenë pronë e Uber-it ose e partnerëve të tij të flotës. Dhe vendi i nisjes? Ku tjetër, veçse San Francisco, qyteti ku çdo rrugë ka më shumë startup-e se pemë.

Por prit pak — kjo nuk është thjesht një nisje. Është një hyrje direkte në territorin e Waymo-s, që për momentin është mbreti i robotaksive në Amerikë. Kujtojmë që Uber dhe Waymo kanë pasur drama edhe më të forta se “Fast & Furious”: një gjyq për vjedhje sekretesh teknologjike në 2018.

Tani, pas disa bashkëpunimeve në Austin e Atlanta, Uber po hyn sërish në fushën e lojës së Waymo-s — këtë herë për “rematch”.

Flota e testimit do të përfshijë rreth 100 makina, që do testohen në rrugë publike, në simulime dhe në pista të mbyllura. Po, do t’i shohim ato SUV-e që lëvizin vetë teksa qytetarët pinë kafen e mëngjesit e mendojnë: “A është vertet kjo makinë pa shofer… apo shoferi po fshihet poshte sediljes nga stresi?”

Në fund të ditës, kjo s’është më një garë se kush çon njerëzit nga pika A në B. Është garë se kush do kontrollojë të ardhmen e transportit – dhe Uber po troket fort në derën e Waymo-s.