Trajneri Silvinjo u largua sot nga drejtimi i Kombëtares shqiptare, ndërsa menjëherë u emërua Rolando Maran si pasues i tij. Silvinjo mbylli kështu një eksperiencë që zgjati më shumë se 3 vite ku pati shumë risi.
Një prej tyre ishte ftesa për Jasir Asanin. Ky i fundit rezultoi zgjedhje e zgjuar nga trajneri brazilian, pasi ishte Asani që me golat e tij i shtroi rrugën kuqezinjve për në Europian.
Dhe pse kishte një krisje në marrëdhënien e tyre gjatë vitit 2025, Asani ka reaguar pas largimit të Silvinjos.
“Faleminderit mister për gjithçka. Kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur dhe të gjatë bashkë, me plot momente që nuk do t’i harroj kurrë. Jam shumë mirënjohës për besimin dhe mundësinë që më dhe për të përfaqësuar Kombëtaren. Do të të jem falenderues gjithë jetën. Suksese në vazhdim, mister”, shkruan Asani.
Kujtojmë se ndeshja e fundit zyrtare që Silvinjo i besoi Asanit ishte më 21 mars të vitit 2025, pikërisht ndaj Anglisë. Këtë vit në sfidën historike ndaj Polonisë, Asani përfundoi në tribunë.
Sot, konferencën për shtyp ku u prezantua trajneri i ri, Rolando Maran, foli edhe Sylvinho, i cili shkurtimisht përmblodhi eksperiencën e tij në krye të Shqipërisë për 3 vjet e gjysmë dhe i uroi fat trajnerit të ri:
“Më kanë pritur shumë mirë këtu e ju falënderoj shumë! E njoh mirë Shqipërinë tashmë. E falënderoj presidentin Duka për besimin dhe punën që kemi bërë! Falënderoj gjithë stafin për punën, të gjithë futbollistët! Bashkë kemi bërë një rrugëtim prej 3 vitesh e gjysmë, jemi rritur bashkë dhe kemi arritur ato rezultate.
Falënderoj dhe tifozët e Kombëtares, kanë qenë një shenjë pozitive për ne, për të punuar çdo ditë. Nuk ka shumë për të thënë. Që në ditën e parë që kam qenë këtu, kam thënë: zemra dhe djersa nuk mund të mungojnë kurrë. Tani dua t’i uroj shumë fat trajnerit të ri Maran dhe sa më shumë suksese”!
