Sport

Java e 10-të e Superligës, sot tre sfida/E mbyll Vllaznia-Partizani!

Java e 10-të e Superligës Shqiptare të Futbollit që nisi dje, sot mbyllet me tre sfida. Në orën 17:00 përballen AF Elbasani-Skënderbeu e Tirana-Laçi me këtë të fundit që luhet në Korçë, si dhe Vllaznia-Partizani, më 19:30. Dje u luajtën dy takimet e para: Bylis-Teuta 4-0 dhe Egnatia-Dinamo 1-1. Në Ballsh, vendasit pritën Teutën e Durrësit, ndaj të cilëve arritën fitoren 4-0. Në Rrogozhinë, Egnatia kampione e Shqipërisë nuk mori dot tri pikët përballë Dinamos pasi sfida u mbyll me rezultatin 1-1.

Bylis-Teuta 4-0

Në stadiumin “Adush Muça”, Bylis i dha fund serisë së humbjeve radhazi. Ballshiotët u rikthyen te fitorja, duke mposhtur pastër Teutën, me rezultatin 4-0. Ndeshja nisi me gol, ku pas vetëm katër minutash ishte Marin Abazaj, i cili u tregua i saktë nga penalltia për golin e parë. Më pas, Berko në pjesën e parë dhe më tej Ruçi e Gjata i dërguan shifrat në 4-0. Bylis gjeti fitoren e dytë sezonale e shkoi në kuotën e 8 pikëve për vendin e parafundit ndërsa Teuta renditet në vendin e gjashtë, me 14 pikë.

Egnatia-Dinamo 1-1

Kampionët e Shqipërisë barazuan 1-1 kundër Dinamos së Ilir Dajës. Ndeshja e vlefshme për Javën e 10-të në Superiore, u vendos nga dy penallti. Në minutën e 19-të, Lushkja u tregua i saktë nga pika e bardhë duke i dhënë avantazhin Egnatias. Ndërkohë, për mysafirët ishte Dejvi Bregu, i cili arriti të barazonte në të 39-ën minutë. Për të theksohet se për 37 minuta, vendasit luajtën me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të Albano Aleksit. Tanimë të dyja skuadrat ngjiten në kuotën e 16 pikëve, aq sa ka edhe Partizani kryesues e që sot në orën 19:30 luan kundër Vllaznisë në Shkodër.

E premte, 25 tetor 2024 – 14:00

Bylis-Teuta 4-0
Egnatia-Dinamo 1-1

E shtunë, 26 tetor 2024

17:00 AF Elbasani-Skënderbeu
17:00 Tirana-Laçi (luhet në Korçë)
19:30 Vllaznia-Partizani

Renditja: Partizani 16 pikë, po Egnatia 16 pikë e po kaq edhe Dinamo City. Elbasani 14 pikë, aq sa Vllaznia dhe Teuta. Tirana e Skënderbeu 10 pikë, Bylisi 8, Laçi 6 pikë.