Celebrities Health & Beauty Sport Vitality Vibes | News

Jeta e balancuar e një boksieri/ Nelson Hysa rrëfen ekskluzivisht për TAR vështirësitë: “Mbi tetë javë që bëj 3 herë në ditë stërvitje sepse…”

Të ftuar në emisionin “Vitality Vibes” në Top Albania Radio këtë javë në studio me Ilvi Begollin kanë qenë boksieri i njohur Nelson Hysa, kampioni i Europës dhe kirurgu Maxilo-Facial, Aldo Vangjeli. Përpos profesionit të tij ai ka edhe pasion sportin, doktori është edhe një nga mjekët kryesor të të gjithë ekipeve kombëtare të të gjithë ndeshjeve zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, UEFA Development dhe ndeshjeve që ne kemi në nivel ndërkombëtar.

Kontributi i Nelson Hysës në fushën e boksit është i jashtëzakonshëm. Ai do të përfaqësohet në një ndeshje në Angli në një stadium me rreth 60 mijë spektatorë që do të ndjekin ndeshjen e tij për mbrojtjen e titullit si kampion i Europës.

Në “Vitality Vibes”, Nelson Hysa ka treguar me detaje se si është jeta e një boksieri. Si e kalon ditën dhe cilat janë angazhimet e tij?

Jo vetëm unë, por çdo sportist profesionist e ka shumë të vështirë të ketë një jetë normale. Ne kemi jetë sportive dhe kjo është 100%, momentalisht kam mbi tetë javë që bëj 3 herë në ditë seanca stërvitore. Normalisht që koha është shumë e kufizuar, kemi kohë për të shkuar në stërvitje, për të shkuar në shtëpi. për t’u ushqyer dhe për të mbajtur regjim duke bërë edhe një seancë fizioterapie, rehabilitimi. Periudha e garave ose e kampit stërvitor kërkon shumë impenjim dhe gjithashtu shumë sakrificë. Kemi familje, nuk gjendemi gjithmonë afër por gjej rastin që t’i falenderoj që kujdesen më shumë se duhet për ne që mungojmë pothuajse në shumicën e ditës. Edhe kur nuk jam në stërvitje unë po rehabilitohem dhe po marr energjitë e humbura.  

Përveç stërvitjes intensive, çfarë i duhet një boksieri qoftë edhe nga ana ushqimore që të qëndrojë në formën fizike maksimale në të gjitha raundet dhe me energjinë maksimale?

Nëse ndeshja është me 10 rounde, unë në stërvitje i kam bërë edhe më shumë, rreth 12-13 rounde por kujdesi është shumë i veçantë duke filluar nga analizat mjekësore që pothuajse çdo javë shikojmë se si janë parametrat e trupit. Pjesa tjetër është edhe ushqimi, normalisht që unë jam peshë e rëndë dhe abuzoj pak sepse janë shumë kalori që i humbas gjatë gjithë ditës. Sidomos kur jemi katër javë përpara garave e kemi të kontrolluar çdo ushqim. Shohim çdo gjë si tek pjesa e ushqimit dhe ajo e stërvitjes, konsumimi i energjive, marrja e vitaminave.