Live From Tirana Sport

Boksieri Ermal Hadribeaj rrëfen fillimet e karrierës së tij: “Një aventurë e gjatë, por me vizion të qartë!”

I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë boksieri i njohur shqiptar Ermal Hadribeaj, për të cilin po bëjnë jehonë edhe mediat e huaja. Ai ka rrëfyer më shumë mbi karrierën e tij, por dhe duke treguar disa detaje të tjera eksklusive…

Si nisi karriera jote në këtë sport?

Unë fillova këtu me artet marciale, pata sukses, dola Kampion i Ballkanit dy herë, dola dhe i treti në botë. Edhe me dorë të thyer kam fituar 3-4 ndeshje në kampionate botërore. Kam pasur arritje goxha të nivelit botëror dhe duke pasur vëllain në Amerikë, gjithmonë kisha dëshirën për të shkuar atje. Ai jetonte në Michigan. Mora vizën, u shkëputa, e vizitova, u ktheva prapë. Kur u ktheva përsëri në Amerikë vendosa që të jetoja atje. Për mua aty filloi çdo gjë nga fillimi. Qëndrova 3-4 muaj tek vëllai, por kalova pak në depresion, sepse të emigrosh në moshën 24-vjeçare nuk është dhe aq e thjeshtë, por thjesht nuk më pëlqeu vendi. Kam qenë një sportist shumë i mirë dhe nuk po gjeja dikë që të shikonte vizionin tim apo talentin tim. Nuk më vintë mirë për këtë. Pastaj mora një rrugëtim për në Miami për t’u qetësuar një jave. Në momentin kur unë kam zbritur nga taksia, kur pashë gjithë atë bukuri, thashë që nuk kthehem më. Aty vendosa që të jetoj. Ka qenë një aventurë e gjatë, por me qëllim dhe vizion shumë të lartë. Nga ai moment që jam vendosur aty, aty fillon e gjithë karriera ime e boksit.

Lutesh para se të dalësh në ring?

Gjithmonë lutem, besoj në Zot. Nuk jam rritur që të kem një besim të caktuar që ta praktikoj, unë shkoj edhe në kishë edhe në xhami. Gjithmonë kam ndjesi shumë të mirë, gjithmonë lutem. Sa herë që futem në xhami apo në kishë më rrëqethet mishi. Gjithmonë i lutem Zotit dhe them faleminderit që jemi mirë dhe kam arritur këtu. Është një fuqi që e ndien dhe të mban gjallë, ajo të bën edhe fitimtar. Kisha nja dy raunde që isha në një moment kulminant që ose do të dorëzohesha komplet, ose do e rimerrja veten. Në momentin që e rimerr veten, bëhesh më i fortë akoma.

Pse të quajnë “The Albanian Sniper”?

Kam goditje precize. Edhe pse kundërshtarët lëvizin, është aq precize sa kudo që shkojnë i godas. Në fillim e mora pseudonimin “Sniper”, por që të njihesha kudo në botë, e vendosa “The Albanian Sniper”, që ta dinë se jam shqiptar.