Shkollat e ditës për qentë apo edhe çerdhet e specializuara për katër putroshat, po bëhen gjithnjë e më të njohura në mbarë Kanadanë, si një zgjidhje për të parandaluar që kafshët shtëpiake të lihen vetëm gjatë orëve të gjata të punës. Kjo theksohet nga “Always Pets”.
Duke u përhapur në qytete si Toronto, Calgary e Kitchener-Waterloo, këto programe ofrojnë rutina të strukturuara që në disa raste përfshijnë marrjen me “autobusë” të vegjël shkollorë që sigurojnë socializim të mbikëqyrur, të përditshëm, ushtrime e trajnim për të ulur ankthin dhe mërzinë e qenve.
Disa detaje kryesore të “shkollave” kanadeze për qen:
• Rutinë e strukturuar: Ditët planifikohen me lojëra në grup të mbikëqyrura, lojëra pasuruese dhe periudha pushimi për t’i mbajtur qentë të qetë e të angazhuar.
• Shërbime transporti: Disa kompani, shpesh vënë në funksion furgonë të specializuar që marrin qentë në mëngjes dhe i kthejnë pasdite, të ngjashëm me autobusat shkollor për fëmijë.
• Përfitimet: Ky shërbim, i parë shpesh në rrjetet sociale si një trend unik kanadez i kujdesit për kafshët shtëpiake, ndihmon në parandalimin e problemeve të sjelljes të shkaktuara nga vetmia.
• Fokus te mirëqenia: Programet janë të dizajnuara për të rritur vetëbesimin te qentë e turpshëm dhe për të aktivizuar qentë me energji të lartë, duke i bërë ata më të relaksuar në shtëpi.