Pas vlerësimit të marrë në Critics Choice Awards, Jimmy Kimmel ka reflektuar hapur mbi një nga periudhat më të vështira të karrierës së tij dhe sfidat që ka kaluar shfaqja “Jimmy Kimmel Live” gjatë vitit të fundit.
Moderatori i njohur kujtoi pezullimin gjashtëditor të emisionit, duke e përshkruar atë si një përvojë tronditëse.
Për mua, ishte si vdekja. U ndjeva si Tom Sawyer dhe Huck Finn duke parë funeralin e tyre
-tha Kimmel, duke iu referuar anulimit të përkohshëm të shfaqjes në shtator, pas komenteve të tij të diskutueshme për vdekjen e Charlie Kirk.
Ai theksoi se kritikat dhe presioni ndaj tij nuk kanë pushuar, duke përmendur edhe sulmet e vazhdueshme nga Donald Trump, i cili, sipas Kimmel, ka kërkuar disa herë që emisioni të mbyllet.
Megjithatë, fitorja në Critics Choice Awards ishte për të një moment reflektimi dhe mirënjohjeje.
Të jem këtu dhe të shoh që njerëzit kanë reaguar pozitivisht ndaj shfaqjes sonë është një nder i madh. Faleminderit të gjithëve që na kanë mbështetur dhe që na kanë kujtuar se liria e fjalës nuk duhet marrë si e mirëqenë
-u shpreh ai.
Në stilin e tij ironik, Kimmel nuk la pa përmendur sërish Trumpin gjatë fjalimit:
Mbi të gjitha, dua të falënderoj Donald Jennifer Trump. Faleminderit President për të gjitha gjërat qesharake që bën çdo ditë. Kanë qenë disa javë emocionuese dhe mezi presim të kthehemi në transmetim nesër për të folur për to
Moderatori zbuloi se edhe gjatë Krishtlindjeve kishte shprehur publikisht kundërshtimin e tij ndaj Trump dhe pretendoi se anulimi i shfaqjes lidhej pikërisht me faktin se ai nuk e “adhuron” ish-presidentin në mënyrën që, sipas tij, ai kërkon.
Qeveria amerikane më kërcënoi mua dhe kompaninë për të cilën punoj dhe papritmas na ndaloi transmetimi
-deklaroi Kimmel, duke e kthyer fjalimin e tij në një mesazh të fortë për lirinë e shprehjes dhe presionin politik në media.