Celebrities Politikë

Donald Trump reagon ashpër ndaj rikthimit të Jimmy Kimmel në ekran!

Prezantuesi i njohur amerikan, Jimmy Kimmel, është rikthyer në ekran pas një pauze shtatëditore, duke i sjellë gëzim shikuesve të tij në SHBA.

Por, rikthimi i tij nuk është pritur mirë nga Donald Trump, i cili ka paralajmëruar një padi ndaj rrjetit televiziv ABC.

Presidenti reagoi me tone të ashpra në platformën e tij Truth Social, duke akuzuar rrjetin për “fake news” dhe për mbështetje të hapur ndaj demokratëve.

Nuk mund ta besoj që ABC Fake News e ka rikthyer Jimmy Kimmel në punë. Audienca e tij është zhdukur, ai nuk ka qenë kurrë qesharak dhe është një tjetër krah i Komitetit Demokratik

-shkroi Trump, duke shtuar se po shqyrton mundësinë e një padie ndaj rrjetit.

Trump kujtoi gjithashtu se një përballje e mëparshme e tij me të njëjtin rrjet i kishte sjellë përfitime financiare, duke lënë të kuptohet se mund të ndodhë e njëjta gjë edhe këtë herë.

Herën e fundit mora 16 milionë dollarë. Kjo mund të jetë edhe më fitimprurëse

-u shpreh ai me ironi.

Kujtojmë se më 17 shtator, shfaqja e Kimmel u anulua në momentet e fundit nga ABC pas komenteve të tij mbi të shtënat fatale të aktivistit konservator Charlie Kirk.

Heshtja e prezantuesit në ditët që pasuan ngjalli reagime të forta në Hollywood, me shumë figura publike që shprehën mbështetje për të.

Nën presionin e madh publik, rrjeti televiziv vendosi të rikthente programin në transmetim, duke i dhënë fund një jave plot polemika.