Ish-presidenti amerikan Joe Biden, 82 vjeç, është paraqitur për herë të parë në publik pas lajmit tronditës se është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës, e cila tashmë është përhapur edhe në kocka.
Biden mori pjesë më 23 maj në ceremoninë e diplomimit të nipit të tij, Robert “Hunter” Biden II, në Salisbury School, Connecticut. Zonja e Parë, Jill Biden, ndau në rrjetet sociale një foto të ngrohtë familjare me nipin e diplomuar, duke reflektuar një moment krenarie mes sfidave shëndetësore të familjes.
Vetëm një ditë para eventit, familja Biden u pa duke darkuar në restorantin “The Woodland” në Lakeville.
Pronari i lokalit tha për mediat se Biden ishte “i përzemërt dhe modest”, duke shtuar se “u tregua shumë i kujdesshëm ndaj të gjithëve, dhe aspak i përqendruar tek vetja”.
Dalja e tij publike vjen pak ditë pas njoftimit zyrtar të diagnozës së tij.
Sipas burimeve mjekësore, Biden kishte përjetuar simptoma të vazhdueshme urinare përpara se t’i nënshtrohej kontrolleve, të cilat më pas konfirmuan përhapjen e sëmundjes në kocka.
Pavarësisht sfidave shëndetësore, ish-presidenti u shfaq i qetë dhe i buzëqeshur pranë familjes, duke dhënë një mesazh force dhe përkushtimi në këto momente të vështira.