Art & Kulturë

Joel dhe Ethan Coen të emëruar si fitues të çmimit Lumière këtë vit!

Vëllezërit Joel dhe Ethan Coen, dy nga regjisorët dhe skenaristët më të vlerësuar të kinemasë bashkëkohore, janë shpallur fitues të Çmimit Lumière 2026, një nga vlerësimet më prestigjioze për arritjet jetësore në artin e filmit. Çmimi do t’u dorëzohet gjatë edicionit të 18-të të Festivalit Lumière, që do të mbahet nga 10 deri më 18 tetor në Lion të Francës, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimit është planifikuar për 16 tetor.

Organizatorët i kanë cilësuar vëllezërit Coen si krijues që revolucionarizuan kinemanë moderne me stilin e tyre të veçantë, duke ndërthurur humorin e zi, dramën dhe thrillerin në filma që janë kthyer në klasikë. Gjatë festivalit do të organizohet edhe një retrospektivë me veprat e tyre më të njohura.

Karriera e tyre përfshin filma të vlerësuar si Fargo, The Big Lebowski, No Country for Old Men, True Grit, Inside Llewyn Davis dhe Blood Simple. Gjatë viteve, ata kanë fituar katër çmime Oscar, si dhe shumë vlerësime të tjera ndërkombëtare, duke u konsideruar ndër emrat më me ndikim në historinë e kinemasë amerikane.

Çmimi Lumière u jepet personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në botën e filmit. Në vitet e kaluara, këtë nderim e kanë marrë emra të mëdhenj si Martin Scorsese, Francis Ford Coppola, Quentin Tarantino, Jane Campion, Tim Burton dhe Michael Mann.