Lifestyle Travel

Ju njohim me qytetin e akullt në Kinë që zhduket brenda dy muajsh!

Në qytetin Harbin, në veri të Kinës, i ftohti ekstrem nuk e mbyll jetën përkundrazi, ai sjell në jetë një qytet të tërë të ndërtuar nga akulli. Kur temperaturat bien në nivele shumë të ulëta, nis ndërtimi i një parku gjigant akulli që shndërrohet në një atraksion të plotë dimëror. Punimet fillojnë disa javë para hapjes së festivalit. Mijëra punëtorë presin, transportojnë dhe vendosin blloqe akulli në një proces të koordinuar me kujdes. Deri në fillim të janarit, zona shndërrohet në një park të madh akulli, i ndërtuar me dijen se do të zgjasë vetëm rreth tetë javë.

Procesi nis në lumin Songhua. Çdo dhjetor, punëtorët dalin mbi sipërfaqen e ngrirë për të prerë blloqe të mëdha akulli, disa prej të cilave peshojnë gati një ton. Me sharra dhe mjete të posaçme, ato nxirren dhe transportohen në vendin e ndërtimit.

Zona e ndërtimit shtrihet në qindra mijëra metra katrorë, dhe në disa vite kalon edhe një milion metra katrorë. Blloqet vendosen njëra mbi tjetrën si tulla, ndërsa uji përdoret si “çimento”, duke i ngrirë menjëherë dhe duke i fiksuar strukturat. Deri në hapje në fillim të janarit, ndërtohen kopje gjigante katedralesh, kullash dhe urash, mjaft të forta për të mbajtur mijëra vizitorë.