Botë e Çuditshme Lifestyle Tech

Ka 32 impiante teknologjike në trup dhe nuk ndalet, një rrëfim i pazakontë i 37-vjeçarit nga Holanda!

Patrick Paumen shkakton habi te personat që ka përreth sa herë që kryen një pagesë në një dyqan apo restorant. 37-vjeçari nuk paguan me kartë, apo telefon, por me para në dorë, në kuptim e parë të fjalës. Ai thjesht vendos dorën ngjitur me lexuesin e kartës dhe pagesa kalon pa probleme. Paumen i cili punon si roje në Holandë tregon për “BBC” se:

Reagimi i njerëzve është i jashtëzakonshëm!

Ai mund të bëjë këtë lloj pagese për shkak se në vitin 2019 futi nën lëkurë një mikroçip.

Të dhemb aq sa një pickim.

Ai e përshkruan veten si një njeri “bionik”, i cili fut objekte teknologjike në trup për të përmirësuar performancën e tij. Në total, ai ka 32 impiante teknologjike në trup, mes tyre çipa për të hapur dyer dhe magnete.

Teknologjia përparon dhe unë dua të kem sa më shumë. Impiantet shtojnë funksionet e trupit tim. Nuk do të jetoja pa to.

Mikroçipi i parë në trupin e njeriut u fut për herë të parë në vitin 1998, por vetëm gjatë dekadës publikut të gjerë i është dhënë mundësia të përdorë këtë teknologji. Kompania britaniko-polake, “Walletmor”, thotë se është e para që ka nxjerrë në shitje këto mikriçipa. Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i kompanisë, Wojtek Paprota thotë se:

Me të mund të paguash për një pije në plazhet e Rios, një kafe në New-York, apo një qethje flokësh në Paris. Mund të përdoret kudo ku pranohen pagesa pa kontakt.

Mikroçipi peshon më pak se një gram dhe është pak më i madh se një kokërr orizi. Ai futet nën lëkurë bashkë me një antenë, i mbështjellë në biopolimer, një material natyral, i ngjashëm me plastikën. Deri tani, kompania ka shitur më shumë se 500 mikroçipa. Për shumë njerëz, ideja e futjes se një objekti të huaj në trup mund të duket e neveritshme, por sipas një studimi të vitit 2021, ku u pyetën 4000 persona në Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar, rreth 51% e tyre u shprehën të gatshëm për një gjë të tillë.

Sidoqoftë, sondazhi zbuloi se shqetësimi për këtë përparim të teknologjisë ishte i pranishëm edhe te personat që u shprehën pozitivisht. Në fakt, ajo që e ka bërë këtë çështje tepër të ndjeshme dhe shpesh objekt i teorive konspirative, është se në të ardhmen, këto mikroçipa mund të mbushen me të dhënat personale të njerëzve, duke i bërë ata të gjurmueshëm në çdo sekondë të jetës së tyre.

Ekspertja e teknologjisë financiare, Theodora Lau, thotë për ‘BBC’ se çipat e futur në trup janë thjesht një zgjatim i teknologjisë së informacionit, që sot e gjejmë kudo në jetën tonë të përditshme. Por ajo shton se përdorimi masiv i kësaj teknologjie do të varet nga vetë njerëzit.

Pyetjet që ngrihen janë disa. Sa je i gatshëm të paguash për rehatinë tënde? Si do të ndahet privatësia dhe siguria? Kush do ta mbrojë këtë infrastrukturë kritike dhe njerëzit që janë pjesë e saj?

Nada Kakabadse, pedagoge e etikave dhe politikave të qeverisë në Universitetin e Readingut në Britaninë e Madhe, thotë se kjo teknologji ka një anë të errët dhe mundësia për abuzime ekziston.

Për ata që nuk e duan lirinë individuale, hapet një rrugë tërheqëse për kontroll, manipulim dhe shtypje. Kush është pronar i këtyre të dhënave? Kush ka qasje tek ato? Dhe sa etike është t’u vendosësh njerëzve çipa, siç bëjmë me kafshët?