Tesla e fitoi betejën e saj teknologjike, duke kryer revolucion në ndërtimin e mjeteve elektronike, që e kanë shndërruar tani në industrinë automobilistike më me vlerë në botë. Por krijesa e Elon Musk rrezikon të humbë luftën kundër diskriminimit racor, diçka që mund t’i kushtojë shtrenjtë imazhit të tij në botë.
Departamenti i Punësimit të shtetit të Kalifornisë, pas qindra denoncimeve, ka vendosur të denoncojë gjigantin amerikan për shkak të masave aspak të forta të ndërmarra për të parandaluar këto episode. Disa punëtorë të asaj fabrike tregojnë që batutat me sfond racial ishin përditshmëria aty, të shoqëruar nga simbole të ndryshme.

Jo vetëm kaq, por sipas denoncimit punëtorëve me ngjyrë u jepeshin gjithmonë punët që shpërbleheshin më pak. Kompania e Musk ka mohuar një akuzë të tillë, duke e cilësuar padinë si një gabim, por kjo nuk është hera e parë, janë 4 paditë me akuzën e racizmit, si dhe një padi personale ndaj një personi me ngjyrë që punonte pikërisht në fabrikën në Freemont dhe që kërkon, i vetëm, 137 milionë dollarë.
Tesla tha se gjatë pesë viteve të fundit, DFEH kishte arritur në përfundimin se gati 50 ankesa individuale për diskriminim kundër kompanisë nuk kishin vlerë, duke kundërshtuar pretendimet e agjencisë për diskriminim të gjerë. Kompania tha se nuk toleron ngacmimet dhe ka disiplinuar dhe pushuar nga puna punëtorët që janë përfshirë në sjellje të pahijshme.
Një narrativë e përpunuar nga DFEH dhe një pjesë e vogël e firmave paditëse për të gjeneruar publicitet nuk është provë faktike.
Rikujtojmë se enti rregullator amerikan mbi sigurinë e automjeteve (AKSTA) ka hapur së fundmi një hetim zyrtar për rreth 580,000 automjete elektrike Tesla të shitura që nga viti 2017, pas vendimit të kompanisë për të lejuar lojëra elektronike në ekranin e përparme qendror të makinës, i cili funksionon me prekje. Sipas agjencisë lojërat elektronike në ekranin ballor, që shërben edhe si kompjuter për kontrollin e automjetit, mund ta shpërqendrojnë shoferin duke shtuar rrezikun e aksidenteve.