Qeveria kanadeze po shqyrton mundësinë që Kanada të marrë pjesë në Eurovision Song Contest. Burime qeveritare kanë treguar se Kryeministri Mark Carney është personalisht i përfshirë në këtë iniciativë. Kanadaja është vetëm anëtare afiliate, ndërsa Australia, një tjetër anëtare afiliate, ka marrë pjesë në Eurovision që nga viti 2015. Kur CBC News e pyeti Eurovisionin muajin e kaluar për mundësinë e pjesëmarrjes së Kanadasë, përgjigja ishte se konkursi është i kufizuar për anëtarët e EBU-së.
Megjithatë, pjesëmarrja kanadeze nuk duket e thjeshtë. Në vitin 2022, kompania prodhuese nga Toronto, Insight Productions, e njohur për spinoff-et kanadeze të The Amazing Race dhe Big Brother tentoi të krijonte një Eurovision Canada, ku artistët kanadezë do të konkurrojnë dhe fituesi do të dërgohej në Evropë për konkursin kryesor. Organizatorët planifikonin që ky konkurs të niste në vitin 2023, duke përfshirë artistë nga të gjitha 13 provincat dhe territoret e Kanadasë, por projekti nuk arriti të realizohet. Sipas Lindsay Cox, shefe e përmbajtjes në Insight, dërgimi i artistëve kanadezë në Eurovisionin global ishte më kompleks se sa mendohej, ndërsa CBC/Radio-Canada nuk ishte e gatshme të përfshihej për shkak të kostove të larta.
Megjithatë, Kanadaja nuk do të duhet domosdoshmërisht të organizojë një konkurs televiziv të shtrenjtë në vend për të zgjedhur artistin e saj rregullat e Eurovisionit lejojnë vendet të zgjedhin vetë mënyrën e selektimit. Sidoqoftë, Dean Vuletic, historian dhe ekspert i historisë së Eurovisionit, thekson se pjesëmarrja kërkon shpenzime të konsiderueshme.
Edicioni i 70-të i festivalit Eurovizion që do të mbahet në Vjenë, do të shënojë rikthimin e tre shteteve; Bullgarisë, Rumanisë dhe Moldavisë. Bullgaria me BNT (pjesëmarrja e fundit: Torino 2022), Rumania me TVR (pjesëmarrja e fundit: Liverpool 2023) dhe Moldavia me TRM (që pushoi vetëm për një vit pas Malmö 2024) do t’i bashkohen edicionit të madh të vitit 2026. Drejtori i Eurovision Song Contest, Martin Green CBE, u shpreh: “Është fantastike t’i mirëpresim sërish BNT, TVR dhe TRM në Eurovision. Rikthimi i tyre është dëshmi e fuqisë së qëndrueshme të këtij festivali, i forcës së komunitetit tonë dhe i asaj çfarë do të thotë vërtet të jemi të bashkuar përmes muzikës”.