Aktualitet

Kanosën policinë me armë, arrestohen 43-vjeçari dhe i mituri në Shkodër!

Në Shkodër, zbardhen autorësia dhe rrethanat e rastit të pasdites së djeshme, në lagjen “Guerrile”, ku u kanosën me armë zjarri punonjës të Policisë, gjatë ndjekjes së një automjeti. Arrestohen drejtuesi dhe pasagjeri i mitur, në makinën me të cilin lëvizte 40-vjeçari që qëlloi me armë zjarri, në ajër, për të kanosur punonjësit e Policisë.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim 40-vjeçari, shtetas me precedentë të theksuar për disa veprimtari kriminale. Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë) me municion, e përdorur në këtë rast.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, të kryera per sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e autorësisë së rastit të datës 09.03.2026, kur rreth orës 15:10, në lagjen “Guerrile”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, dhe Komisariatin e Policise Shkoder zhvilluan operacionin e koduar “Risku”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasi E.B., 43 vjeç dhe një 17-vjeçar, të dy banues në lagjen “Guerrile”.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi B.B., 40 vjeç, banues në lagjen “Guerrile”, me precedent për armëmbajtje pa leje, prodhim/shitje narkotikësh dhe vjedhje.

Dje, gjatë patrullimit në këtë zonë, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, automjetit që nga hetimet rezultoi se e drejtonte 43-vjeçari dhe kishte pasagjerë të miturin dhe shtetasin e shpallur në kërkim.

43-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka vijuar lëvizjen, duke shtuar shpejtësinë dhe kryer manovra të rrezikshme me automjet. Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit.

Gjatë ndjekjes, shtetasi B.B. dyshohet se ka zbritur nga automjeti, dhe gjatë largimit, ka qëlluar me armë zjarri (pistoletë), ne ajer me qëllim kanosjen e punonjësve të Policisë.

Arma e zjarrit me municion e dyshuar e përdorur nga shtetasi B.B., u gjet nga shërbimet e Policisë dhe u sekuestrua bashkë me automjetin tip “Volkswagen Seat” me të cilin leviznin këta shtetas.

Punohet intensivisht për kapjen e shtetasit B.B..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi apo mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”.