Gossip Showbiz

Kanye West ndryshon sërish emrin? Cili është emri i ri?

Reperi i njohur amerikan, Kanye West, ka ndryshuar për herë të dytë emrin e tij zyrtar në vitet e fundit. Pas ndryshimit të emrit në “Ye” në vitin 2021, artisti 48-vjeçar tashmë ka adoptuar një identitet të ri ligjor: “Ye Ye”.

Sipas dokumenteve të zbuluara nga gazeta “The US Sun”, emri i ri është bërë i ditur përmes dokumenteve ligjore të paraqitura nga drejtori financiar i reperit, Hussain Lalani, në një gjykatë të Kalifornisë. Ndryshimi është reflektuar edhe në dokumentet e disa prej kompanive më të rëndësishme të Ye-së.

Një prej tyre, “Ox Paha Inc”, e cila ka paraqitur qindra kërkesa për marka tregtare në emrin e reperit, tashmë e identifikon atë si “Ye Ye”. Po ashtu, edhe kompani të tjera të njohura të lidhura me të, si “Yeezy Apparel”, “Yeezy Record Label LLC” dhe “Getting Our Dreams Inc”, kanë përditësuar emrin e tij të ri në dokumentet zyrtare.

Ndryshimi është bërë publik pasi këto kompani paraqitën “deklarata informacioni” pranë Sekretarit të Shtetit të Kalifornisë, i cili ka për detyrë përditësimin e të dhënave të kompanive që operojnë në shtet.

Megjithëse emri i ri tashmë është zyrtar në dokumente ligjore dhe të biznesit, Ye ende nuk e ka shpallur publikisht këtë ndryshim.

Së fundmi, ai ka shfaqur një ndjeshmëri të madhe ndaj emrit të tij të lindjes. Në një episod të emisionit të Piers Morgan, reperi u largua me nerva pasi prezantuesi e quajti “Kanye”, një veprim që ai e konsideroi si mungesë respekti.