E ardhmja e Karim Adeyemit te Borussia Dortmund po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, pavarësisht se sulmuesi gjerman është i lidhur me klubin verdhezi me kontratë deri në vitin 2027.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat gjermane, diskutimet për një ndarje të mundshme kanë nisur prej kohësh dhe tani situata duket se ka hyrë në një fazë vendimtare.
Gazeta prestigjioze BILD raporton se Adeyemi u ka komunikuar drejtuesve të Dortmundit dëshirën për t’u larguar nga klubi. Në qendër të këtij vendimi qëndron jeta personale e futbollistit.
Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se bashkëshortja e tij, këngëtarja me origjinë nga Kosova Loredana Zefi, preferon të jetojë në një qytet të madh evropian, larg Dortmundit.
Pas këtij zhvillimi, Adeyemi ka nisur lëvizjet konkrete për të përgatitur largimin. Sipas informacioneve, ai ka ndërruar agjent dhe ka hapur bisedime për rishikimin e kushteve kontraktuale, duke i lënë derën hapur një transferimi në të ardhmen e afërt.
Me një vlerë tregu që llogaritet rreth 60 milionë euro, interesimi për shërbimet e tij është i lartë. Emri i Adeyemit është përmendur si objektiv i disa prej gjigantëve të futbollit evropian, mes tyre Barcelona, Manchester United dhe Juventus, të cilët po ndjekin nga afër çdo zhvillim.
Nga ana tjetër, Borussia Dortmund pritet të analizojë me kujdes çdo ofertë që mund të mbërrijë, ndërsa vendimi final për të ardhmen e sulmuesit gjerman pritet të merret gjatë merkatos së ardhshme.