Në seancën e parë gjyqësore për rastin e sulmit në Banjskë e që mbahet në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Arianit Koci, avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku, i cili mbeti i vrarë, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit. Më herët, Vladimir Toliç, Bllagoje Spasojeviç e Dushan Maksimoviç, u deklaruan të pafajshëm. Në seancën përgatitore të 9 tetorit të vitit të kaluar, dy prej tyre, Toliç dhe Spasojeviç kishin refuzuar që të deklaroheshin në lidhje me fajësinë.
Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, mbetën të vrarë edhe tre sulmues.
Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për terrorizëm, financim të terrorizmit e vepra të rënda penale. Shumë prej tyre janë në arrati, përfshirë Milan Radoiçiçin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.
Më 9 tetor të vitit të kaluar, në seancën përgatitore, Prokuroria kërkoi që gjykimi të nisë edhe për të akuzuarit që nuk ndodhen në Kosovë, por avokatët mbrojtës theksuan se diçka e tillë nuk lejohet nga ligjet e vendit. Gjyqtari Arben Hoti kërkoi një mendim juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e ligjit, që konstatoi se kjo çështje është “e drejtë diskrecionale” e gjyqtarit.
Një vendim i tillë ende nuk është marrë. Ndërkaq, në seancën përgatitore të 9 tetorit 2024, dy të akuzuarit, Vladimir Toliç dhe Bllagoje Spasojeviç refuzuan që të deklarohen lidhur me fajësinë në këtë fazë të procesit, ndërsa Dushan Maksimoviç u deklarua i pafajshëm.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e mori Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur jetojnë të lirë në Serbi.
Çfarë përmban aktakuza?
Prokuroria Speciale e Kosovës, ndër të tjera, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe ato kundër rendit kushtetues e sigurisë së Kosovës. Prokurori i çështjes, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste e deri te financimi dhe pastrimi i parave”.
Në aktakuzë thuhet se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ky grup ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.