Këshilli i Sigurisë së Kosovës akuzon Serbinë se po tenton që të “sabotojë themelimin e institucioneve të reja” dhe legjislaturës së nëntë të Kosovës të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Prishtina zyrtare njoftoi se Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje sot me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar për gjendjen e sigurisë, por edhe për, siç u tha, planet destabilizuese të Serbisë.
Në njoftim u përsëritën akuzat e mëhershme të bëra nga Qeveria e Kosovës se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përmes Listës Serbe, akuza që janë bërë edhe nga Gjermania dhe misioni i Bashkimit Europian për monitorimin e zgjedhjeve.
Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxisë tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën.
Këshilli i Sigurisë tha se kjo paraqet ndërhyrje ndaj “sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”. Kurti, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, më herët gjatë javës ka zhvilluar takime me partitë e komuniteteve joshumicë në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për konstituimin e Kuvendit dhe formimit të qeverisë.
Më 2 prill, Kurti u takua me kryetaren e Partisë së Re Demokratike nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi dhe me udhëheqësin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiç. Që të dy shprehën gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit me LVV-në e Kurtit.
Një ditë më vonë, Kurti vazhdoi takimet me përfaqësuesit e partive të tjera joserbe. Ai u takua me kryetaren e Unionit Socialdemokrat nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, si dhe kryetarin e Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli.
Po atë ditë, Kurti zhvilloi takim edhe me deputetin e zgjedhur të komunitetit goran, Kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, si dhe deputetin e zgjedhur nga radhët e komunitetit boshnjak, Rasim Demiri nga Koalicioni Vakat.
Hoxha ka qenë në të kaluarën pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit fitoi nëntë vende në Kuvendin e Kosovës.
Pas takimeve, Balje, Berisha dhe Kinolli thanë se i kanë paraqitur kërkesat e tyre Kurtit për një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në. Damka shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, ndërkaq Hoxha nuk dihet se çfarë qëndrimi ka sa i përket një bashkëpunimi të mundshëm me partinë e Kurtit.