Rajoni

Dy javë kohë për një “qeveri të brishtë” në Kosovë!

Rreth dy javët e mbetura deri te mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës janë të mjaftueshme që Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, të zhvillojë bisedime me subjektet e tjera politike për konstituimin e legjislativit dhe formimin e qeverisë së re. Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Grupi për Studime Ligjore dhe Politike. Por, ata paralajmërojnë se koalicioni qeverisës mund të rezultojë “i brishtë”.

Besoj që (dy javë) është hapësirë e nevojshme kohe që të zhvillohen diskutime, të paktën për çështjen e Kuvendit, thekson Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Besar Gërgi, hulumtues në Grupin për Studime Ligjore dhe Politike, nuk e cilëson kohën prej dy javësh afat problematik për arritjen e pajtimit për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Eshtë problem vullneti politik i subjekteve politike dhe pjekurisë politike të tyre, shprehet Gërgi për Radion Evropa e Lirë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thirri mbledhjen për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që do të mbahet më 15 prill. Osmani u shpreh se deri atëherë “ka kohë të mjaftueshme” për përgatitjet teknike lidhur me konstituimin e Kuvendit. Konstituimit të plotë të Kuvendit, i paraprinë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, me shumicën e votave të deputetëve.

Kryetari i kuvendit duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila si parti fituese, në zgjedhjet e 9 shkurtit ka siguruar 48 vende në Kuvendin e Kosovës. Por, nuk mjaftojnë për votimin e kryetarit dhe nënkryetarëve e as për formimin e qeverisë, që kërkon të paktën 61 vota.

Sa u përket koalicioneve, LVV-ja ka thënë se preferon ta formojë ekzekutivin me disa nga partitë e komuniteteve joshumicë, me 20 vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës. Komunitetet pakicë joserbe kanë 10, ndërsa Lista Serbe fitoi 9 nga 10 që i takojnë komunitetit serb.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dje nisi takimet me parti politike të pakicave, për t’u konsultuar rreth formimit të qeverisë së re të vendit. Kurti takoi kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS) nga komuniteti boshnjak, njëherazi zv.kryeministre në detyrë, Emilija Rexhepi, kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiç e kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi. Sot i vazhdoi takimet me përfaqësues të tjerë të partive joserbe.