Në mesatare, njerëzit udhëtojnë më shumë se disa vite më parë qoftë për kënaqësi apo për punë dhe pothuajse çdo muaj (më shumë a më pak) e gjejmë veten duke bërë një valixhe, edhe sikur vetëm për një fundjavë. Kështu që, teorikisht, jemi të gjithë “pro” në përgatitjen e bagazhit para nisjes… ose të paktën ashtu mendojmë. Megjithatë, pak këshilla për ta mbyllur valixhen sa më mirë, vlejnë gjithmonë. Ja 15 rregullat e arta për të bërë valixhen.
- Bëje valixhen 1–2 ditë përpara, jo natën para nisjes. Nxirr valixhen, fillo të vendosësh gjërat ngadalë dhe hiqi tepricat më pas.
- Bëj një listë dhe kontrolloje dy herë. Shto gjëra gjatë ditëve para udhëtimit, jo në 10 minutat e fundit.
- Mbaj gjithmonë gati disa “qese emergjence”: një për make up dhe higjienë, një mini-farmaci personale, një për gjërat e avionit (maskë gjumi, dezinfektues etj.). Vetëm i kap dhe i hedh në valixhe sa herë udhëton.
- Përdor organizues për valixhen (ato qeset/kutitë e brendshme). Të ndajnë rrobat, të mbajnë të ndarë të brendshmet, rrobat e pista dhe ta bëjnë bagazhin më të rregullt dhe më pak “i fryrë”.
- Vendos një pajisje gjurmimi në valixhen e dorëzuar në check-in.
- Mos merr rroba që s’i vesh asnjëherë në shtëpi. Në udhëtim, në 90% të rasteve, vesh gjërat që të bëjnë të ndihesh rehat dhe i kombinon lehtë.
- Pesho valixhen në shtëpi, jo në aeroport. Shmang momentin klasik kur hap valixhen para të gjithëve për të hequr një palë atlete.
- Produktet e lëngshme futi në qese plastike (tip qese ngrirjeje): shampo, maska, balsam, kremra. Një kapak i hapur mund të të shkatërrojë gjysmën e rrobave.
- Nëse dorëzon valixhen, mendoje sikur do ta “hedhin”. Rrobat më delikate nga brenda, gjëra që thyen mbështilli mirë.
- Gjërat më të rëndësishme mbaji gjithmonë me vete: dokumente, para, ilaçe, syze, bizhuteri, çelësa, absorbentë. Këto mos i vendos kurrë te valixhja e dorëzuar.
- Mos merr dy palë të njëjta këpucësh. Më mirë 2–3 lloje të ndryshme që i ndërrojnë presionet te këmba dhe të kursejnë dhimbje shpine e gjunjësh.
- Planifiko look-et paraprakisht. Mendo kombinime të plota për ditët kryesore. Veshjet “mos ndoshta më duhen” janë ato që zënë vend kot.
- Çfarë është më voluminoze, vishe në avion: çizme, pallto, parka, xhaketë e rëndë. Kursen vend në valixhe dhe mund t’i heqësh sapo të ulesh.
- Lër gjithmonë pak hapësirë të lirë. Edhe nëse nuk je tip “souvenir”, diçka do marrësh me vete. Më mirë boshllëk sesa panik në kthim.
- Sapo të shkosh në shtëpi, zbraze valixhen. Laj rrobat, hidh ç’duhet hedhur dhe mos e lër të hapur ditë me radhë. Të rregullosh valixhen shpejt është si të mbyllësh bukur ciklin e udhëtimit dhe të jesh gati për të ardhshmin.