Aktualitet

KF Tirana në zi, ndërron jetë vajza e futbollistit Freddy Alvarez! Shtyhet ndeshja me Flamurtarin!

Klubi i Futbollit Tirana bën me dije se vajza e futbollistit Freddy Alvarez është ndarë tragjikisht nga jeta në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytetin shqiptar. I gjithë klubi bardheblu po qëndron pranë futbollistit 30-vjeçar dhe familjes së tij në këto orë të vështira, teksa ende nuk ka asnjë informacion për shkaqet e ngjarjes tragjike.

Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin se vajza e lojtarit tonë, Freddy Alvarez, ka ndërruar jetë tragjikisht në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë. I gjithë klubi ynë është i tronditur dhe në zi, duke qëndruar pranë Freddyt dhe familjes së tij në këtë moment të rëndë. Ngushëllimet tona më të sinqerta janë me familjen Alvarez. U prehtë në paqe, njofton klubi bardheblu.

KF Tirana kishte sot në program ndeshjen kundër Flamurtarit në orën 13:30, teksa dueli i Superligës është shtyrë për nesër (po në 13:30) pas mirëkuptimit mes dy klubeve. Mesfushori nga Costa Rica, Freddy Alvarez, u bashkua me KF Tiranën në merkaton e këtij janari, ndërsa është aktivizuar për tre takime në Superligë dhe Kupën e Shqipërisë.