Bota

Kievi vendos shtetrrethim të ri/Kremlini refuzon armëpushimin!

Në Kiev vendoset shtetrrethimi. Nga sot, kush është në rrugë pas orës 17:00 do të trajtohet si armik. Kryebashkiaku Vitali Klitschko, shpalli një shtetrrethim të ri për kryeqytetin ukrainas: nga ora 17:00 deri në 08:00 të mëngjesit. Orari zëvendëson atë 22:00-07:00. Në Twitter, Klitschko shkruan:

Të gjithë civilët në rrugë gjatë shtetrrethimit do të konsiderohen anëtarë të grupeve të sabotimit dhe zbulimit të armikut!

Forcat ruse vazhdojnë të lëvizin drejt kryeqytetit Kiev, pas një sërë sulmesh ajrore në qytete dhe baza ushtarake në të gjithë Ukrainën. Në një video-mesazh drejtuar kombit, presidenti Volodymyr Zelensky, siguron se “trupat ukrainase kanë nën kontroll Kievin e qytetet kryesore rreth tij”. Më tej, theksoi se “prishën planet ruse për ta kapur dhe zëvendësuar me një lider pro-rus në krye të shtetit”. Zelensky iu kërkoi rusëve t’i bëjnë presion presidentit Vladimir Putin, për të ndalur pushtimin e Ukrainës. Kujtojmë se më herët, ai refuzoi ndihmën amerikane për evakuim e vuri në dukje se “lufta është në Ukrainë”.

Ndërkaq, Kremlini hedh poshtë kërkesën për armëpushim. Nga ana tjetër, Agjencia Ruse e Monitorimit të Mediave, Roskomnadzor, i urdhëroi të fshijnë raportimet ku përdoren fjalët: “sulm”, “pushtim” ose “shpallje lufte”, për të përshkruar ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainën fqinje. Nëse refuzojnë, Roskomnadzor kërcënoi se do t’i bllokojë.

Agjencia Ruse njoftoi:

Për përhapje të informacioneve jo të besueshme, nisëm hetime kundër gazetës Novaya Gazeta dhe mediave të tjera, si Ekho Moskvy, InoSMI, Mediazona, New Times e Dozhd.

Qeveria e Holandës njoftoi se do të dërgojë 200 raketa Stinger në Ukrainë. Vendimi u mor pas kërkesës nga Ukraina, për ta ndihmuar të mbrohet kundër sulmeve ruse. Raketat Stinger tokë-ajër, mund të përdoren kundër avionëve dhe helikopterëve. Javën e kaluar, Holanda ra dakord t’i ofrojë armë dhe pajisje ushtarake Ukrainës, përfshirë snajpera e detektorë të minave tokësore.

Më herët gjatë ditës ishte qeveria çeke që miratoi dërgimin e armëve dhe municioneve në Ukrainë, në një ndihmë që kap vlerën e mbi 8.5 milion dollarëve.