Kim Kardashian është rikthyer në Paris për të dëshmuar në një nga çështjet më të bujshme penale të viteve të fundit, atë të grabitjes së saj në vitin 2016. Ylli i televizioneve dhe sipërmarrësja 44-vjeçare pritet të tregojë para gjykatës momentet e tmerrit që përjetoi kur persona të armatosur hynë në suitën e saj luksoze dhe i morën bizhuteri me vlerë rreth 9 milionë dollarë.
Ngjarja ndodhi gjatë Javës së Modës në Paris. Kardashian ndodhej vetëm në suitë, kur disa burra të maskuar hynë me forcë, e lidhën dhe e kërcënuan me armë. Ndër sendet më të vlefshme të vjedhura ishte unaza e fejesës që ajo kishte marrë nga Kanye West, me vlerë 4 milionë dollarë.
Në gjykatë dëshmoi edhe recepsionisti i hotelit, Abderrahmane Ouatiki, i cili tha se u detyrua t’i çonte grabitësit në dhomën e Kim-it dhe të përkthente kërkesat e tyre. Ai e përshkroi Kardashian si të “tërësisht e tronditur” dhe tha se kishte frikë edhe për jetën e tij. Pas ngjarjes, ai u përball me dyshime dhe paragjykime, duke humbur statusin e studentit dhe duke u kthyer në Algjeri, ku u diagnostikua me çrregullim post-traumatik.
Nga 12 persona të akuzuar, 10 janë aktualisht në gjykim. Shumica janë të moshuar dhe mediat franceze i kanë quajtur “grabitësit gjyshër”. Pavarësisht moshës, prokurorët i konsiderojnë profesionistë të mirëorganizuar.
Dëshmia e Kardashian shihet si një përpjekje për të marrë kontroll mbi një ngjarje që për vite u trajtua me tallje në publik. Tani, ajo ka mundësinë të flasë me zërin e saj dhe të kërkojë drejtësi për çka përjetoi.