Bota

Kina dhe Japonia me temperatura rekord nga vapa përvëluese!

I nxehti që ka mbërthyer Europën e Amerikën e Veriut, nuk po kursen as Azinë. Në Kinë, edhe më herët shërbimet meteorologjike kanë lëshuar disa mesazhe paralajmëruese, duke parashikuar temperatura që mund të arrijnë 45°C në rajonin Xinjiang e 39°C në atë jugor Guangxi.

Sot, Japonia lëshoi ​​një paralajmërimin për goditjen e vendit nga temperaturat e larta. Si pasojë e vlerave rekord, goditen miliona banorë që jetojnë në 20 nga 47 prefekturat e territorit japonez. Në kryeqytetin Tokio, temperaturat arritën në 36 gradë Celcius.

Por, ky vend po përballet dhe me shira të rrëmbyeshëm e që ditët e fundit kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 8 vetëve, mes tyre një person i gjetur i vdekur në një makinë të përmbytur.

Po në Azi, përmbytjet janë kthyer në shqetësim për Korenë e Jugut ku është rritur në 40 numri i viktimave nga shirat e dendur. Presidenti i vendit, Yoon Suk Yeol akuzon autoritetet se kanë dështuar që të ndjekin protokollet e reagimit ndaj fatkeqësive.

Që nga e enjtja e javës së kaluar, rajonet qendrore e jugore të vendit aziatik janë goditur nga reshjet e shiut, duke arritur kulmin e sezonit të shirave që nisi në fund të qershorit.

Ministria e Brendshme raporton për nëntë të zhdukur e 34 të plagosur në të gjithë Korenë e Jugut.

Vitin e kaluar kur reshjet më të mëdha në 115 vjet shkatërruan Seulin, duke përfshirë distriktin e pasur Gangnam dhe rezultuan me vdekjen e të paktën 14 personave e përmbytje të metrove, rrugëve e shtëpive, qeveria u zotua të merrte masa për të trajtuar më mirë fatkeqësitë e shkaktuara nga ndryshimet e klimës.

Presidenti Yoon, i cili u kthye nga një udhëtim jashtë shtetit, bëri thirrje për një takim brenda agjencisë për reagimin ndaj fatkeqësive. Ai pranoi se situata ishte përkeqësuar për shkak të menaxhimit të dobët të zonave me ndjeshmëri të lartë.

Vazhdimisht, ne kemi theksuar rëndësinë e kontrollit të aksesit në zonat e rrezikshme dhe zbatimin e evakuimeve parandaluese, që nga viti i kaluar. Megjithatë, nëse parimet themelore të reagimit ndaj fatkeqësive nuk respektohen në vend, garantimi i sigurisë publike bëhet i vështirë.