Bota

Përmbytjet në Korenë e Jugut, 40 viktima/Kritika për veprime jo efikase!

Eshtë rritur në 40 numri i viktimave nga shirat e dendur në Korenë e Jugut. Presidenti i vendit, Yoon Suk Yeol sot fajësoi autoritetet duke i akuzuar se kanë dështuar që të ndjekin protokollet e reagimit ndaj fatkeqësive. Mes atyre që humbën jetën ishin dymbëdhjetë individë që vdiqën tragjikisht në një nënkalim të përmbytur, në qytetin qendror Çeongju. Ngjarja ndodhi të shtunën kur një përmbytje e menjëhershme përfshiu 15 automjete, mes tyre dhe një autobus.

Kjo ka ngritur shqetësime lidhur me aftësinë e Koresë së Jugut për të parandaluar e reaguar në mënyrë efektive ndaj dëmeve nga përmbytjet. Disa përdorues të rregullt të rrugës kritikuan qeverinë për mos ndalimin e hyrjes në nënkalim, pavarësisht parashikimeve për përmbytje.

Që nga e enjtja e javës së kaluar, rajonet qendrore e jugore të vendit aziatik janë goditur nga reshjet e shiut, duke arritur kulmin e sezonit të shirave që nisi në fund të qershorit.

Ministria e Brendshme raporton për nëntë persona të zhdukur dhe 34 të plagosur në të gjithë Korenë e Jugut.

Vitin e kaluar kur reshjet më të mëdha në 115 vjet shkatërruan Seulin, duke përfshirë distriktin e pasur Gangnam dhe rezultuan me vdekjen e të paktën 14 personave e përmbytje të metrove, rrugëve dhe shtëpive, qeveria u zotua të merrte masa për të trajtuar më mirë fatkeqësitë e shkaktuara nga ndryshimet e klimës.

Presidenti Yoon, i cili u kthye nga një udhëtim jashtë shtetit, bëri thirrje për një takim brenda agjencisë për reagimin ndaj fatkeqësive. Ai pranoi se situata ishte përkeqësuar për shkak të menaxhimit të dobët të zonave me ndjeshmëri të lartë.

Vazhdimisht, ne kemi theksuar rëndësinë e kontrollit të aksesit në zonat e rrezikshme dhe zbatimin e evakuimeve parandaluese, që nga viti i kaluar. Megjithatë, nëse parimet themelore të reagimit ndaj fatkeqësive nuk respektohen në vend, garantimi i sigurisë publike bëhet i vështirë.

Autoriteteve iu kërkoi të bëjnë përpjekje maksimale në shpëtimin e viktimave e premtoi mbështetje për rimëkëmbjen dhe familjet e prekura. Gjithashtu propozoi përcaktimin e zonave të prekura nga përmbytjet, si zona të veçanta të fatkeqësive.