Aktualitet

KLSH zbuloi 2.5 miliardë euro abuzime/ Jonaid Myzyri, vartësi i Belinda Ballukut po hetohet nga SPAK për tenderat pa garë

Jonaid Myzyri, kreu i Komisionit të Prokurorit Publik u paraqit të hënën në Prokurorinë e Posacme për të dhënë shpjegime lidhur me një hetim të çelur nga ky instiucion.

Për më shumë se dy orë, Myzyri qëndroi përballë prokurorëve si dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit duke dhënë sqarimet e tij, ndërsa në dalje të institucionit refuzoi të bënte komente.

Myzyri mban këtë post që prek vitti 2020. Komisioni i Prokurimit Publik është organi më i lartë administrativ në fushën e prokurimeve që shqyrton ankesat për procedurat e prokurimit publik, koncesioneve/partneritetit publik privat, ankandeve publike dhe procedurave konkurruese të dhënies së lejeve minerare.

LEXO EDHE: Gazment Bardhi zbërthen skemën “5B”: Ja si drejtorët e besuar të Ballukut, Ceno Klosi dhe Spartak Kovaçi kanë marrë 32 mln euro tendera e prona publike

SPAK është duke hetuar procedurat e tenderave përgjatë viteve 2020-2023 pasi ka dyshime të forta se janë zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në rast të tjera, shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë.

Në kuadër të hetimit, SPAK ka urdhëruar më herët sekuestrimin e një sërë procedurave, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi ka dalë në konkluzionin se dëmi ekonomik i shkaktuar nga abuzimet me tenderat kap vlerën e 2 miliardë e 550 milionë eurove.

Njëherazi SPAK po heton edhe zyrtarë të Komisionit të Prokurorimit Publik lidhur me koncesionin e sterilizimit.

Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi hedh akuza ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku se po përpiqet të imponojë rizgjedhjen e Myzyrit në krye të KPP-së edhe pse i përfundon mandati në Korrik. Bardhi e akuzon atë si financues të fushatës së Ballukut.

“Belinda Balluku po bën ç’mos që të imponojë rizgjedhjen e Jonaid Myzyrit në krye të Komisionit të Prokurimeve Publike pas dy muajsh dhe pse Myzyrit i përfundon mandati në korrik.

Jonaid Myzyri është i implikuar jo vetëm me favorizimet multimilionëshe të Alko-Impex të cilat po hetohen nga SPAK por ai është dhe tërthorazi financues i fushatës së Ballukut dhe blerjes së votave pasi firmos fitoren e kompanive të sugjeruara nga Balluku që më pas këto kompani të punojnë në Fier për blerje votash. Por harrojnë që nuk kanë kohë e mundësi, SPAK po u troket në derë!”, shkruan Bardhi.