Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi tërhiqet nga kërkesa e paraqitur në Gjykatën e Posaçme, GJKKO në lidhje me heqjen e masës “Detyrim për paraqitje” për aferën CEZ-DIA, si dhe lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për shkak se Kryemadhi u tërhoq, gjyqtari Erjon Çela vendosi mospranimin e kërkesës, pasi çështja mbeti pa objekt. Ndaj Kryemadhit dhe Ilir Metës rëndojnë tre akuza: pastrim parash, korrupsion, si dhe mosdeklarim pasurish, në çështjen CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në Amerikë e ndaj tyre ka nisur një hetim pasuror.
Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e deputetes Monika Kryemadhi, duke i lënë në fuqi sekuestron për vilën. Sa i përket Ilir Metës, me të cilin Kryemadhi është në proces divorci, tre muaj më parë, më parë, më 7 janar ishte mbi 2 orë në SPAK për t’u pyetur. Në një postim, Meta sqaronte:
Dua t’ju siguroj se kam dhënë sqarime shumë të qarta, me sjelljen time tepër transparente, për të gjitha pyetjet që m’u drejtuan, duke sqaruar edhe njëherë në respektin tim të plotë ndaj të gjitha ligjeve shqiptare dhe amerikane për çështjen e lobimit. Por më lejoni t’ju sqaroj se ishte një seancë me pyetje reciproke, ne ju përgjigjëm të gjitha pyetjeve të tyre, ata ju shmangën “për moskompetencë” pyetjeve tona.
Pyetja jonë e parë ishte se çfarë bëhet me kallëzimin tonë të dorëzuar më 6 dhjetor në SPAK lidhur me rrëmbimin kriminal dhe banditesk. Meqënëse ata ishin të interesuar për çështjen e lobimeve, pasi ju përgjigja të gjitha pyetjeve të tyre, si President i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend, u bëra unë dy pyetje që kanë të bëjnë me interesin e lartë publik, konkretisht me çështjen e lobimeve të paligjshme.
Së pari, çfarë bëhet me hetimin e çështjes McGonigal, kryeagjentit të FBI të dënuar me burg për shkak të korruptimit nga kryekorruptuesi i ndërkombëtarëve, aktualisht Kryeministër? Së dyti, çfarë bëhet me hetimin për fotografinë e paligjshme me Presidentin Obama të “Gruas së Bilalit” për të cilën një shtetas shqiptaro-amerikan ka bërë burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?