Sport

Kombëtarja fiton 0-1 miqësoren në Gjibraltar! Vendos penalltia e Asanit, debutojnë Kacurri dhe Cristian Shpendi

Kombëtarja shqiptare e futbollit iu fal një penalltie të Jasir Asanit në minutën e 69-të për të fituar 0-1 miqësoren kundër Gjibraltarit në udhëtim. Ky ishte dueli i parë në histori mes dy skuadrave.

Ndeshja ishte e vështirë dhe u desh një prekje topi me dorë në zonën kundërshtare që ekipi i drejtuar nga Sylvinho të shmangte turpin, edhe pse pas këtyre 90 minutave ngrihen shumë pikëpyetje mbi lojën, kundrejt rivalit më të dobët që jemi ndeshur dhe që renditen në vendin e 199 në FIFA.

Trajneri Sylvinho provoi nga minuta e parë emra të rinj në mesin e fushës, teksa në prapavijë debutoi Maldini Kacurri nga minuta e parë. Në fillimin e pjesës së dytë duhej hedhja në fushë e debutuesit tjetër, Cristian Shpendi, që gjërat në sulm të ndryshonin. Deçizive ishte minuta e 68-të, me Shpendin që kontrolloi një top në zonë, lëvizi bukur dhe kundërshtari Pozo e ndali topin me dorë. Për arbitrin uellsian Jones nuk kishte dyshime që ishte penallti.

Nga 11 metrat u paraqit Jasir Asani, i cili nuk gaboi dhe e ndali sferën në rrjetë, për të çliruar Sylvinhon në stol dhe gjithë tifozët. Vijimi i lojës pa Cristian Shpendin me tjetër ‘marsh’, por sulmuesi debutues u ndal nga portieri Banda dhe prapavija mike. Vlen të theksohet edhe goditja e traut të portës nga Medon Berisha në pjesën e parë, por në përgjithësi ndeshja ishte për t’u harruar.

Megjithëse Sylvinho ka shumë pikëpyetje në kokë, e gjithë vëmendja do jetë më 9 shtator në ‘Air Albania’, aty ku tanët presin Letoninë për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës. Ky duel është më shumë se i rëndësishëm për tanët në kërkim të “ëndrrës amerikane”.