Kompania prestigjoze gjermane ‘Bosch’ ka paralajmëruar se do të reduktojë vendet e punës vitin e ardhshëm. Një zëdhënës i kompanisë ka bërë me dije se do të reduktojë rreth 8,250 vende pune në nivel global përgjatë 2025. Këto shkurtime do të ndodhin në sektorin të quajtur “Mobiliteti”, i cili furnizon me pjesë prodhuesit e makinave në mbarë botën, ndërsa ky biznes përballet me kërkesë të ngadalshme, kosto të larta dhe konkurrencë në rritje.
“Sektori i mobilitetit po kalon një transformim të thellë. Mjedisi i vështirë ekonomik dhe transformimi i vazhdueshëm në industrinë e automjeteve po na paraqesin sfida të mëdha. Është e rëndësishme për ne të mbetemi konkurrues në këto kushte”-cilësoi kompania. Shkurtime të planifikuara, disa prej të cilave u njoftuan më herët këtë vit, përbëjnë pothuajse 2% të forcës punëtore globale të Bosch, e cila numëronte pak më shumë se 429,000 punonjës në fund të vitit 2023.
Kompania Bosch njoftoi gjithashtu se 450 punonjës do të punojnë me orar të shkurtuar, katër ditë në javë, duke filluar nga pranvera e vitit të ardhshëm. Sipas një deklarate nga zëdhënësi i kompanisë për revistën Fortune, nga 1 marsi, punonjësit do të punojnë 35 orë në javë, krahasuar me orarin aktual prej 38 deri në 40 orë, duke pësuar gjithashtu ulje pagash. Arsyeja e kësaj mase është “situata e vështirë ekonomike” që ka ndikuar veçanërisht në degët e kompanisë në Stuttgart dhe Gerlingen.