Në një situatë alarmante për industrinë automobilistike, drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha të makinave, përfshirë General Motors, Toyota, Volkswagen dhe Hyundai, kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me mungesën e magneteve të rralla nga Kina. Ato janë thelbësore për prodhimin e komponentëve të tilla si motorët, alternatorët, sensorët dhe sistemet e sigurisë. Kina, e cila kontrollon mbi 90 për qind të kapaciteteve globale për përpunimin e këtyre magneteve, ka vendosur kufizime të reja në eksport, duke kërkuar që kompanitë të marrin leje nga Pekini për të eksportuar këto materiale.
Si pasojë, eksportet e këtyre magneteve nga Kina janë përgjysmuar në muajin prill. Në një letër të datës 9 maj drejtuar administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, grupet tregtare që përfaqësojnë këto kompani kanë paralajmëruar se pa një furnizim të qëndrueshëm me këto materiale, fabrikat e automjeteve mund të detyrohen të ndalin prodhimin për disa javë. Në disa raste, kjo mund të çojë në uljen e vëllimit të prodhimit ose madje në mbylljen e linjave të montimit. Trump ka dhënë dritën e gjelbër për nisjen e bisedimeve me autoritetet kineze për të zgjidhur këtë çështje, por deri tani nuk ka pasur një zgjidhje të dukshme.
Rikujtojmë se shoqata e madhe gjermane e automjeteve elektrike, BEM (Bundesverband eMobilität), ka paraqitur kërkesë për falimentim. Kjo lë 450 kompanitë anëtare në pasiguri. BEM u themelua 16 vite më parë dhe përfaqëson një spektër të gjerë kompanish. Ajo përfshin vetë markat e makinave si dhe shumë nënkontraktorë në industrinë e automjeteve elektrike. Në faqen e saj zyrtare, BEM theksonte se “përfaqësojmë më shumë se 450 anëtarë me një qarkullim mbi 100 miliardë euro dhe një milion punonjës në mbarë botën”.