Auto & Moto

Falimenton shoqata gjermane e makinave elektrike!

Shoqata e madhe gjermane e automjeteve elektrike, BEM (Bundesverband eMobilität), ka paraqitur kërkesë për falimentim. Kjo lë 450 kompanitë anëtare në pasiguri. BEM u themelua 16 vite më parë dhe përfaqëson një spektër të gjerë kompanish. Ajo përfshin vetë markat e makinave si dhe shumë nënkontraktorë në industrinë e automjeteve elektrike. Në faqen e saj zyrtare, BEM theksonte se “përfaqësojmë më shumë se 450 anëtarë me një qarkullim mbi 100 miliardë euro dhe një milion punonjës në mbarë botën”.

Një komisioner tashmë është emëruar. Detyra e tij është të shqyrtojë me kujdes financat e BEM-it, në bashkëpunim me përfaqësuesit e shoqatës. Qëllimi është të përpiqen të nisin një dialog me kreditorët. Nëse kjo nuk rezulton me sukses, shoqata do të shpërbëhet në fund të gushtit. Lajmi për falimentimin ka shkaktuar shqetësim të madh mes dashamirësve gjermanë të automjeteve elektrike. Shitja e automjeteve elektrike në Gjermani deri më tani nuk ka qenë e jashtëzakonshme, veçanërisht pas heqjes së subvencioneve shtetërore për blerjen e tyre në fillim të vitit të kaluar.

Ndërkaq, senati i SHBA-së ka bllokuar rregulloret e Kalifornisë për emetimet, pjesa kryesore e të cilave ishte ndalimi i shitjes së makinave SUS duke filluar nga viti 2035. Senati i dominuar nga republikanët votoi për të shfuqizuar një përjashtim që i lejonte Kalifornisë të hartonte rregullat e veta sipas Aktit Federal për Ajrin e Pastër. Kalifornia luan një rol të veçantë, si tregu më i madh i makinave në SHBA, ajo përcakton standardet për automjetet e shitura në pjesën tjetër të vendit.

Rikujtojmë, se shitjet e makinave elektrike po rriten ndjeshëm në Gjermani, por një segment i rëndësishëm i tregut ende nuk po tregon interes të madh. Numri i automjeteve elektrike të pasagjerëve të regjistruara rishtazi në Gjermani gjatë prillit ka shënuar rritje të jashtëzakonshme, janë regjistruar 45.535 automjete elektrike, që përbën një rritje prej mbi 50% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Megjithatë, përkundër statistikave pozitive, një studim i ri tregon se zakonet e blerësve privatë nuk po ndryshojnë.

Shumica dërrmuese e pronarëve të automjeteve private në Gjermani vazhdojnë të shmangin automjetet elektrike kur blejnë një makinë të re. Sipas barometrit të fundit HUK E, i cili bazohet në të dhëna për 14 milionë automjete të siguruara, vetëm 3 për qind e automjeteve të individëve janë elektrike. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, vetëm 4 për qind e individëve kanë kaluar nga makina me benzinë apo naftë në makinë elektrike, një përqindje identike me atë të vitit të kaluar. Pra, nuk ka ndryshim.