Partia Demokratike reagoi pas publikimit në media të një kontrate lidhur me lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas PD-së, “financimi është realizuar nga shqiptarë që jetojnë në SHBA dhe synon forcimin e marrëdhënieve mes PD-së dhe qeverisë amerikane”.
Deklarata e plotë e PD-së:
Në lidhje me një informacion të shpërndarë në media për lobimin e PD-së pranë Qeverisë dhe Kongresit të SHBA-së, dëshirojmë të sqarojmë sa vijon:
Komuniteti shqiptaro-amerikan, përmes fondacionit “Make Albania Great Again”, ka kontraktuar kompaninë “Continental” për të ndihmuar në konsolidimin e marrëdhënieve miqësore të Partisë Demokratike, si forca më e madhe opozitare, me Kongresin dhe Qeverinë e SHBA-së. Synimi i bashkatdhetarëve tanë në SHBA është bashkëpunimi i PD-së me aleatin kryesor të Shqipërisë për të rivendosur demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Kompania “Continental” drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo, i cili njihet gjithashtu si avokat i Presidentit Trump dhe si antikomunist i palëkundur në qëndrimet e tij!
Kontributi financiar për realizimin e këtij qëllimi është marrë përsipër 100% nga patriotë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në SHBA, si dhe demokratë të tjerë të larguar nga Shqipëria këto 10 vite për shkak të regjimit të Edi Ramës.
Partia Demokratike, duke falënderuar demokratët antikomunistë të komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe patriotizmin e tyre, sqaron opinionin publik se, ndonëse ka dhënë dakordësinë për marrjen e këtij shërbimi në përputhje të plotë me ligjet e të dy vendeve, nuk ka asnjë barrë financiare apo detyrim kontraktual që lind nga kjo marrëveshje.
Më pak se një muaj nga zgjedhjet e 11 Majit, Partia Demokratike ka nënshkruar një kontratë lobimi 6 milion dollarëshe, për dy vjet, me një firmë në Uashington DC.
Firma është hedhur në datën 4 prill nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka dhe si garant në SHBA ka dalë një shtetas me emrin Nuredin Seçi. Kjo është kontrata e dytë brenda pak muajsh që PD-ja nënshkruan me njerëz të afërt të Donald Trump-it, pas mbërritjes në Shqipëri të njërit prej dy strategëve të Presidentit të SHBA-ve, Chris Lacivita.