Më vonë gjatë ditës pritet bilanci i ri sa i përket përhapjes së koronavirusit, paraprakisht mësohet se krahas mjekut pneumolog Anibal Byberi, mes viktimave të COVID-it është dhe një 28-vjeçar. I riu i cili punonte si elektriçist në Shkodër, fatkeqësisht nuk ia doli të fitojë betejën me sëmundjen dhe ndërroi jetë në spitalin COVID-2, “Shefqet Ndroqi”. Njoftimin e dha dega rajonale e OSHEE-së ku punonte viktima. Ndërkaq, më herët gjatë ditës u mësua se humbi jetën dhe pneumologu 53-vjeçar nga Tropoja, Anibal Byberi. Si pasojë e insufiçencës së rëndë respiratore, mjeku nuk arriti të mbijetojë.