Bota

Korriku 2025, i treti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë!

Korriku i vitit 2025 ishte muaji i tretë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, sipas Observatorit Evropian të Kopernikut. Ky korrik kishte temperatura mesatarisht 1.25°C mbi nivelet para-industriale, ai mbetet brenda pragut të Marrëveshjes së Parisit, por sinjalizon se rreziku nga ndryshimet klimatike është ende i pranishëm. Temperaturat ekstreme shkaktuan valë të nxehti, përmbytje dhe zjarre në shumë vende, ndërsa më shumë se 1.000 vdekje u raportuan vetëm në Spanjë. Drejtori i C3S, Carlo Buondebo, paralajmëroi se nëse nuk ndalojmë emetimet e gazrave serrë, rekordet e reja dhe pasojat e rënda janë të pashmangshme.

Japonia ka regjistruar dy rekorde të reja të temperaturave më të larta ndonjëherë brenda një dite, teksa vala përvëluese e të nxehtit po përfshin vendin. Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, temperaturat arritën fillimisht në 41.6°C, për t’u rritur më pas në 41.8°C, duke vendosur një rekord të ri historik për vendin. Temperaturat ekstreme u shënuan të martën në qytetin Isesaki, që ndodhet në prefekturën Gunma në pjesën veriore të rajonit Kanto. Këto vlera e tejkalojnë ndjeshëm rekordin e mëparshëm prej 41.2°C, i cili ishte regjistruar vetëm javën e kaluar në prefekturën Hyogo, në perëndim të Japonisë.

Portugalia nga ana tjetër po përjeton një valë të re të të nxehtit, me temperatura që arrijnë në 41 gradë Celsius. Gushti mund të jetë muaji më i nxehti në 15-20 vitet e fundit, sipas “Euronews”. Temperaturat minimale variojnë nga 16 deri në 24 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale variojnë nga 28 deri në 41 gradë Celsius. Rajonet veriore të Portugalisë, Viana do Castelo, Braga, Porto, Vila Real dhe Bragança, janë sërish subjekt i një alarmi të kuq të të nxehtit.

Ndërkaq, Kalifornia po përballet sërish me një sezon zjarresh shkatërruese. Situata më e rënduar paraqitet në kodrat e Pyllit Kombëtar Los Padres, duke shkaktuar evakuime emergjente dhe duke kërcënuar jetën dhe pronën e banorëve lokalë. Zjarri shpërtheu të premten përgjatë Rrugës Shtetërore 166, midis qyteteve Santa Maria dhe Bakersfield, rreth 180 kilometra në veri të Los Angeles. Brenda pak ditësh, flakët kanë përfshirë mbi 26,000 hektarë me shkurre të thata, ndërsa afro 450 struktura janë në rrezik.