Aktualitet

Korrupsioni 8 mijë euro, Apeli i GJKKO-së shton masën ndaj avokatit Besart Logu!

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, GJKKO shton masën shtrënguese ndaj avokatit Besart Logu, i akuzuar për një korrupsion me 8 mijë euro, duke ia marrë një klienti të akuzuar, për të ndikuar te prokurorët dhe gjyqtarët, me qëllim lirimin e tij.

Logu qëndron në masën arrest shtëpie me vendim të shkallës së parë të GJKKO-së, për veprën “Ndikim i paligjshëm”,  por sot shkalla e dytë njoftoi se ka vendosur edhe një tjetër masë ndaj tij. Përkohësisht i ndalohet ushtrimi i detyrës.

Me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më 29.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 68 akti, datë 22.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personit nën hetim B.L., me objekt: “ankim ndaj vendimit dhe vendimit nr. 92, datë 11.09.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje të të arrestuarit B.L.” dhe vendosi: Ndryshimin e Vendimit Nr. 92, datë 11.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.

Caktimin ndaj B.L. të masës së sigurimit ndalues të parashikuar nga neni 243 i Kodit të Procedurës Penale, duke urdhëruar ndalimin e përkohshëm të ushtrimit të profesionit të avokatisë, thuhet në vendimin e marrë nga Apeli i GJKKO-së.

Më tej urdhërohet sekretaria gjyqësore që një kopje të këtij vendimi t’i njoftohet Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Avokati ka të drejtë që kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve. Logu e ka mohuar akuzën e ngritur si të pabazë dhe pa prova nga ana e SPAK-ut.