Aktualitet Lajmet e fundit

“Heqje e masave të sigurisë”, sot seanca në Apelin e GJKKO-së për Ballukun dhe vartësit!

Në Apelin e Posaçëm sot në orën 11:00 zhvillohet seanca për zv.kryeministren Belinda Balluku dhe vartësit. Balluku ka kërkuar heqjen e dy masave të sigurisë, të pezullimit nga detyra, si edhe ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Kjo seancë zhvillohet në një kohë kur SPAK-u kërkon autorizim nga Kuvendi për arrestimin e Ballukut. Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e riktheu në detyrë, deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama, për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes GJKKO-së e Këshillit të Ministrave.

Belinda Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera për Tunelin e Llogarasë, me fond limit 190 milion euro. Ndërkohë, zyrtarisht SPAK-u ka nisur hetimet ndaj saj për të 7 lotet e Unazës së Madhe, projekt për cilin u prokuruan 450 milion euro.

Ndërkohë, masën e sigurisë e ka ankimuar edhe drejtori i KESH-it Erald Elezi, ndaj të cilit GJKKO-ja ka caktuar masën e arrestit në shtëpi. Ai akuzohet për shkelje të barazisë në tendera dhe masa i është caktuar për dy tenderët me vlerë 210 milion euro, Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe. Elezi ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH kur ishte tenderi i Llogarasë, si edhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për tenderin e Unazës së Madhe.

Zbutjen e masës së sigurisë “Arrest shtëpie” e kërkoi edhe kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli, i akuzuar për “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe masa e sigurisë iu caktuar vetëm për Tunelin e Llogarasë.