Kosova i dha lamtumirën Adem Demaçit. Dy ditë pas ndarjes nga jeta në moshën 82-vjeçare, veprimtari i shquar i kauzës kombëtare u përcoll sot për në banesën e fundit në “Varrezat e Dëshmorëve”, me nderime të larta shtetërore. Në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës u zhvilluan homazhe, në nderim të njeriut të cilësuar “Mandela i Ballkanit”, i cili vuajti 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë, ndërsa luftoi për lirinë e Kosovës. Homazheve iu bashkua dhe Presidenti Ilir Meta, i cili e vlerësoi Adem Demaçin si heroin e pashembullt të rezistencës për lirinë e Kosovës. Pas luftës, Adem Demaçi u angazhua në veprimtari të ndryshme politike e shoqërore.