Rajoni

Kosova miraton nismën për marrëveshje me Amerikën në fushën e mbrojtjes!

Qeveria e Kosovës i dha ok-ein, duke miratuar në parim nismën për lidhjen e një marrëveshjeje kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes vendit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Në mbledhjen e ekzekutivit, kryeministri Albin Kurti, vuri në dukje se me këtë marrëveshje, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara angazhohen për të çuar para bashkëpunimin “në fushën e mbrojtjes si: planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike si dhe ngritje e kapaciteteve strategjike ushtarake”.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se kjo nismë është në përputhje me qëllimet e Kosovës për integrimin më të madh euroatlantik.

Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, thellimit të kërcënimeve për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë, gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, u shpreh ministri Maqedonci gjatë mbledhjes së qeverisë.

Ndërkaq, qeveria Kurti nuk dha detaje të tjera lidhur me iniciativën për lidhjen e kësaj marrëveshjeje mes Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës, si dhe Departamentit amerikan të Mbrojtjes e që ndryshe njihet si Pentagoni.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje të vazhdueshme për strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës, duke ofruar trajnime për pjesëtarët e strukturave të sigurisë, si dhe kanë mbështetur transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri e ndër të tjera kanë dhuruar pajisje ushtarake, të ndryshme.

Në të kaluarën, Kosova ka arritur marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, si edhe me shtete të tjera, për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit. Po ashtu, në janar të vitit të kaluar, Amerika njoftoi se Kosova kishte bërë kërkesë për blerjen e mbi 200 sistemeve kundërajrore Javelin e që prodhohen në SHBA.

Për shitjen e këtyre sistemeve, të cilat pritet t’i kushtojnë Kosovës 75 milion dollarë, Uashingtoni ende nuk ka marrë një vendim.