Rajoni

Kosova në marrëdhënie të vështirë me BE-në, presidentja Osmani fjalim në PE!

Presidentja Vjosa Osmani ndodhet në Strasburg për një takim me drejtuesen e Parlamentit Europian, Roberta Metsola. Po ashtu do të flasë para deputetëve të Parlamentit, në një seancë plenare. Tema të diskutimeve: raportet Kosovë-BE, mbështetja që Parlamenti Europian i jep Kosovës, si dhe situata aktuale në veri e procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Vizita e presidentes Osmani ishte caktuar para më shumë se një muaji dhe vjen në një situatë kur raportet e Kosovës me Bashkimin Europian janë në fazë të vështirë.

Në Strasburg, Osmani zhvilloi takime dhe në Këshillin e Europës. Para një viti, Kosova ka aplikuar për t’u bërë anëtare e kësaj organizate. Muajin e kaluar nisi procedura formale për pranimin e vendit në këtë institucion. Kryetarja e shtetit takoi Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Europës, Marija Buriç-Pejçinoviç dhe shprehu gatishmërinë e Kosovës për të përmbushur kriteret e nevojshme, për të respektuar vlerat e demokracisë e të drejtat e njeriut, ndërsa e quajti shumë të rëndësishëm anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç shmang komentet pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it. Në Instagram shkruan:

Kam marrë vendim që të mos them asnjë fjalë për takimin me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi. Mendoj se është më mirë për të gjithë.

Sot ai takoi përfaqësuesit e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe kreun e delegacionit të Unionit. Takimi vjen një ditë pasi Policia e Kosovës arrestoi serbbin Milun Milenkoviç-Lunet, në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se Milenkoviç ishte një nga organizatorët e sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe policisë. Tensionet në veri u shtuan në fund të majit kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të hynin në ndërtesat komunale.

Në veri, tensionet janë rritur që nga 26 maji kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç që të vendosen në objektet komunale, pavarësisht rezistencës së banorëve atje.