Rajoni

Kosova nis fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit!

Partitë politike të certifikuara për zgjedhjet lokale të 12 tetorit sot nisin zyrtarisht fushatën në Kosovë.  Gjatë saj, kandidatët për kryetarë të komunave dhe ata për kuvendet vendore do të shpalosin programet e do të përpiqen të bindin qytetarët që t’i votojnë.

Rrjeti i organizatave që mbikëqyrin procesin zgjedhor, Demokracia në Veprim (DnV) iu bëri thirrje të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve që të zhvillojnë një garë zgjedhore “në frymë të përgjegjshme, të drejtë, por edhe konkuruese, gjithnjë duke u kujdesur që të zbatojnë ligjet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për një proces të qetë, të drejtë e demokratik”.

Veçanërisht, DnV konsideron që është tejet me rëndësi që të respektohet Kodi i Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët. Në këtë drejtim, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të garantojnë zbatim të barabartë të legjislacionit, u theksua në njoftimin e këtij rrjeti.

Në zgjedhjet e 12 tetorit, të drejtë vote për zgjedhjen e kryetarëve në 38 komuna do të kenë 2 milion e 69 mijë e 98 votues. 43 mijë e 993 prej tyre janë zgjedhës jashtë shtetit e do të mund që të votojnë me postë që nga data 17 shtator.

Më herët, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se zgjedhjet e muajit tetor do të organizohen në 938 qendra votimi me 2 mijë e 625 vendvotime. Në këto zgjedhje garojnë 5 mijë e 626 kandidatë. 206 prej tyre janë emra për kryetarë komunash dhe të tjerët për vende në kuvende komunale.

Për garën zgjedhore, KQZ-ja ka certifikuar 93 subjekte politike, 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione, si dhe 27 kandidatë të pavarur. Kujtojmë se zgjedhjet më të fundit fundit lokale, Kosova i ka mbajtur në tetor të vitit 2021. Në atë kohë, Partia Demokratike e Kosovës, PDK pati fituar numrin më të madh të komunave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK.