Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë sot nisi procesin e tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se në këto zgjedhje garojnë 5 mijë e 626 kandidatë dhe 206 prej tyre janë emra për kryetarë komunash e të tjerët për vende në kuvende komunale.
Në zgjedhjet lokale për 38 komuna janë certifikuar 93 subjekte, 32 parti politike, 32 nisma qytetare, dy koalicione, si dhe 27 kandidatë të pavarur.
Në nisje të tërheqjes së shortit, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi vuri në dukje se ky hap tregon se procesi përgatitor ka hyrë në fazën përfundimtare.
Zgjedhjet janë themeli i një demokracie, pasi përmes tyre qytetarët shprehin vullnetin politik duke zgjedhur përfaqësuesit në nivelin qendror dhe lokal, u shpreh Radoniqi.
Më tej, bëri të ditur se prej 17 shtatorit do të nisë votimi me postë për mbi 260 mijë shtetasit kosovarë të regjistruar që jetojnë jashtë territorit të Kosovës. Subjektet e certifikuara janë renditur me numra nga 100 deri në 192. Kujtojmë se Kosova i mbajti zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021. Partia Demokratike e Kosovës fitoi në numrin më të madh të komunave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës.