Rajoni

Kosovë, Albin Kurti fton LDK-në për koalicion me LVV-në!

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherazi kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sot i shkroi një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), përmes së cilës e fton për marrëveshje politike mes dy partive.  Kurti i kërkon Lumir Abdixhikut që LVV-ja dhe LDK-ja të bëjnë një koalicion qeverisës, i cili do t’i hapte rrugë zhbllokimit të Kuvendit e formimit të qeverisë së re të Kosovës. Letra u bë publike pas dështimit të përpjekjes së njëmbëdhjetë për konstituimin e Kuvendit.

Jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime. Kam bindjen që votuesit e LDK-së sot e preferojnë më së shumti koalicionin me LVV-në. Edhe votuesit e LVV-sw e preferojnë po ashtu më së shumti koalicionin me LDK-në. Pse të mos e bëjmë, u shpreh Kurti në letrën drejtuar Abdixhikut.

Kreu i LVV-së, në letër, nuk e ka përjashtuar as gatishmërinë e partisë së tij për të shkuar në zgjedhje të reja, por ka thënë se edhe ato do të çonin drejt një koalicioni mes LVV-së e LDK-së.

Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash, e ka pyetur Kurti, Abdxhikun.

Nga LDK-ja nuk janë deklaruar deri tani lidhur me ftesën e Kurtit. Më herët, sot, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, u shpreh se bllokimi i Kuvendit është pasojë e mosbashkëpunimit mes LVV-së e partive që dikur ishin në opozitë. Ai ka vënë në dukje se “nuk ka mirëbesim mes partive politike” dhe se kjo “është për keqardhje”.

Sipas tij, mirëbesimi mund të arrihet vetëm me veprime konkrete nga Kurti.

Po ashtu ka kërkuar që Albin Kurti të kërkojë falje “për gjuhën ofenduese dhe sjelljen degraduese” e të marrë përgjegjësi për gjendjen e vendit sot. Edhe sot, për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ligjvënësit refuzuan për të tretën herë rresht që të formonin një komision për votimin e fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.