Rajoni

Kosovë, arrestohen 5 serbë të dyshuar për vrasje në Syriganë gjatë luftës!

Policia e Kosovës arrestoi pesë persona në Skënderaj, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, bëri të ditur se janë serbë lokalë.

Ka dyshime se të prangosurit kanë vrarë gjashtë civilë shqiptarë në fshatin Syriganë të Skënderajt në periudhën maj-qershor 1998. Atyre u është caktuar një masë fillestare sigurie prej 48 orësh paraburgim.

Duke ofruar më shumë hollësi, policia njoftoi se operacionin e arrestimit e nisi në orët e para të mëngjesit në gjashtë zona të ndara: pesë në Skënderaj dhe një në Mitrovicën e Veriut.

Gjatë bastisjeve në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse janë konfiskuar: një armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, një armë brezi e tipit Zastava M-57, dy karikatorë dhe 77 fishekë, një pushkë gjuetie me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi, si dhe uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave.

Lista Serbe reagoi ashpër ndaj aksionit policor:

Sot u prangosën pesë nga bashkatdhetarët tanë, pronarë të ndershëm shtëpish.

Kjo parti që ka 9 vende në Kuvendin e Kosovës, kritikoi atë që e quajti “regjim” të kryeministrit Albin Kurti, që “pa prova të vlefshme arreston serbët, duke i paditur për krime lufte, me qëllimin e qartë të frikësimit dhe persekutimit të tyre”.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri më 1999-ën, u vranë mbi 13 mijë civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre u morën nga forcat serbe, me qëllimin për të fshehur krimet.