Rajoni

Kosovë e veriut, betohen kryetarët e rinj të Zubin Potokut e Zveçanit!

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, sot bëri betimin në detyrën e re. Në fjalën e tij, Zeqiri theksoi:

Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet.

Ceremonia e betimit u zhvillua në objektin e Zyrës Komunale për Komunitetet, në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Betimin e bëri dhe kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci e pritet ta bëjë dhe ai i Leposaviçit, ndërsa i Mitrovicës së Veriut u betua më 19 maj. Qeveria e Albin Kurtit bëri të ditur se për arsye sigurie, drejtuesit e rinj do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna e jo në godinat e kuvendeve komunale.

Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe dhe që janë të gjithë shqiptarë u zgjodhën në votimet e jashtëzakonshme të prillit, por që u bojkotuan nga komuniteti serb, me kërkesë të partisë së tyre kryesore, Lista Serbe.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi se qytetarët e serbë janë intimiduar nga Beogradi zyrtar për të mos dalë në votime. Sipas tij, qeveria e Kosovës synon të funksionalizojë institucionet dhe punën në këto komuna, që të garantohen shërbimet publike për të gjithë qytetarët.

Kjo nuk është zgjedhje, është obligim i yni. Këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend, sepse të gjitha këto janë normale në demokraci dhe në Republikë.

Pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç tha se me këtë “zyrtarisht filloi pushtimi i veriut e do të përfundojë kur të vendosin serbët”. Simiç i dha afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që deri më 1 qershor “të ndalë represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.