Rajoni

Kosovë, KQZ-ja certifikon rezultatin e balotazhit të 9 nëntorit!

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi rezultatin për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën në 18 komuna më 9 nëntor, duke i hapur rrugën marrjes së mandateve nga kryetarët e rinj në 38 komuna të Kosovës. Në raundin e parë, më 12 tetor, qytetarët zgjodhën kryetarët në 20 komuna të tjera.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se votojnë kundër certifikimit të rezultatit për kryetar komune në Kllokot.

Bazuar në dy raundet e votimit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë fituar nga shtatë komuna, Partia Demokratike e Kosovës gjashtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe Lista Serbe dhjetë.

Lëvizja Vetëvendosje në raundin e dytë fitoi në Mitrovicë të Jugut, Fushë Kosovë, Gjilan e Obiliq. Kjo parti, që udhëhiqet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në raundin e parë mori drejtimin e Kamenicës, Podujevës e Shtimes.

Në raundin e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në pesë komuna: Prishtinë, Pejë, Dragash, Viti dhe Junik. Në raundin e parë, kjo parti siguroi Istogun e Lipjanin.

Partia Demokratike e Kosovës në balotazh fitoi në Prizren, Vushtrri dhe Kaçanik. Ndërkaq, më 12 tetor, kjo parti doli e para në Skenderaj, Ferizaj dhe Han të Elezit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës më 9 nëntor arriti fitore në Gjakovë, Suharekë, Klinë dhe Rahovec. Partia e udhëhequr nga Ramush Haradinaj më 12 tetor, fitoi në Deçan.

Lista Serbe, forca kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit është partia që ka fituar më shumë vota, përkatësisht të 10 komunat e banuara me shumicë serbe. Në balotazh, fitoi në Kllokot pasi më 12 tetor mori drejtimin në Leposaviç, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh e Mitrovicë e Veriut.

Partia turke, KDTP në balotazh fitoi në Mamushë. Ndërkaq, Nisma Socialdemokrate, në raundin e parë ka fituar në Malishevë. Në Drenas fitoi nisma e Ramiz Lladrovcit.