Pas zgjedhjes së kryetarit, të nënkryetarëve shqiptarë dhe të nënkryetares nga pakicat joserbe, konstituimi i Kuvendit të Kosovës është bllokuar te votimi i nënkryetarit nga komuniteti serb. Dy ditë më parë, deputetët refuzuan të votonin kandidatin e Listës Serbe, partisë serbe të mbështetur nga Beogradi dhe që rezulton më e përfaqësuara në parlament, me 9 vende.
Për shkak të refuzimit të Listës Serbe për të zëvendësuar kandidatin Sllavko Simiç për nënkryetar, kryeparlamentari i sapozgjedhur hodhi në votim kandidatët e tjerë përmes shortit, përfshirë emrin e Nenad Rashiçit, kryetarit të partisë serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i afërt me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, iu bëri thirrje deputetëve ta votojnë Nenad Rashiçin si nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga pakica serbe. Sipas tij, “Rashiç është mundësia e vetme”.
Rashiç nuk mori vota të mjaftueshme gjatë votimit, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Listës Serbe. Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik që pasoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
A do të përmbyllet sot konstituimi i Kuvendit?
Më herët, Nenad Rashiç konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se do të vetëkandidohet për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Ndërkaq, kryeparlamentari i sapozgjedhur, Dimal Basha ka thirrur konferencë për shtyp që vjen një ditë pas kritikave të mëdha me të cilat u përball në lidhje me një punim të vitit 2012 e që mbante firmën e tij. Aty thuhet:
Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në gjithë Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara.
Në një reagim në Facebook dje në mbrëmje, Basha e mohoi se ka shkruar ndonjëherë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e theksoi se kontributi i dhënë në këtë punim lidhet vetëm me Kapitullin 3, “i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën”.
Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë.