Rajoni

Kosovë, myftiu Tërnava uron besimtarët myslimanë për Muajin e Ramazanit!

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, uroi besimtarët myslimanë për Muajin e Ramazanit, që nis ditën e nesërme. Në mesazhin tradicional të rastit lidhur me nisjen e këtij muaji, Tërnava uroi që besimtarëve t’iu pranohet agjërimi:

Me rastin e fillimit të këtij muaji të bekuar, këshilloj motrat dhe vëllezërit e mi kudo që janë që të kenë frikë nga Zoti i madhëruar, të garojnë me vepra të mira, të urojnë njëri-tjetrin për të bërë mirë, të jenë të durueshëm, të ruajnë unitetin e të mos përçahen, të bashkëpunojnë në mirësi, urtësi e devotshmëri si dhe të ruhen nga të gjitha ato mëkate që Zoti i ka ndaluar.

Kleriku mysliman vuri në dukje se Muaji i Ramazanit është muaj i mirësisë, devotshmërisë, sakrificës dhe faljes së mëkateve. Tërnava tha se për besimtarët myslimanë, ky muaj sjell mirësi e begati, ndaj porosit besimtarët që të shtojnë adhurimin dhe veprat e mira.

Zemra e myslimanit është e përgatitur për të hyrë në atmosferën e adhurimit, për ta pastruar shpirtin përmes agjërimit, namazit, sakrificës dhe dhembshurisë për të varfrit dhe nevojtarët, për të arritur kështu devotshmërinë dhe për të reflektuar mbi mësimet e fesë.

Gjatë Muajit të Ramazanit, besimtarët myslimanë agjërojnë nga agimi e deri në perëndim të diellit, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit. Agjërimi është një nga pesë shtyllat e fesë islame. Muaji i Ramazanit këtë vit nis më 1 mars dhe përfundon më 29 mars. Ndërkaq, më 30 mars besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin.